Superliga e Kosovës me tri duele shumë interesante

09:34 | 30 Prill 2023

Tri duele shumë interesante sot në Superligë.

Superliga e Kosovës në futboll do të vazhdojë sot me tri takimet e xhiros së 31-të.

Ndeshja më interesante luhet në kryeqytet, Prishtina e pret Llapin. Dallimi mes tyre është një pikë, me prishtinasit të katërtit, derisa llapjanët të gjashtit.

Sa i përket formës, Prishtina ka dy humbje në tri ndeshjet e fundit, derisa Llapi një humbje e një barazim.

Liderin e Superligës, Ballkanin këtë javë e pret një ndeshje e vështirë, në udhëtim te Dukagjini.

Pas një starti të dobët të sezonit pranveror, suharekasit i janë rikthyer formës së mirë, kanë dy fitore radhazi, e tri karshi dy barazimeve në pesë përballjet e fundit.

Në krahun tjetër, Dukagjini e nisi tejet mirë pranverën, por në dy ndeshjet e fundit ka marr vetëm dy pikë, teksa janë të pestit në tabelë dhe në lojë për një vend në garat evropiane.

Ndeshja e fundit do të jetë mes Trepçës’89 e Gjilanit, që luhet në stadiumin “Riza Lushta”.

Të kuqtë nga Gjilani kanë marrë gjashtë pikë në dy sfidat e fundit, pas disa rezultateve të dobëta, e 89-shi ka luhatje në rezultate, sa fiton e sa dështon.

Mitrovicasit pësuan xhiron e kaluar, ndërsa në klasifikim janë të tetit, të rrezikuar për rënie nga elita.

Komento: