Supremja e Speciales ndërpret përfaqësimin e Salih Mustafës nga avokatja Alagendra

16:22 | 25 Janar 2024
supremja-e-speciales-nderpret-perfaqesimin-e-salih-mustafes-nga-avokatja-alagendra

Kolegji i Supremes së Dhomave të Specializuara të Kosovës(DhSK) në Hagë, ka marrë vendim për ndërprerje të përfaqësimit të Salih Mustafës nga avokatja Venkateswari Alagendra.

Me anë të vendimit të datës 25 janar 2024, Trendafilova ka urdhëruar sekretarin që të caktojë një avokat sipas detyrës zyrtare deri sa të bëhet emërimi i një avokati tjetër për Mustafën.

“Për arsyet e lartpërmendura, Paneli DEKLARON se vendimi i Sekretarit në lidhje me emërimin e znj. Alagendra nuk ka efekt juridik; URDHËRON Sekretarin, si çështje urgjente, të caktojë avokatin e detyrës për të përfaqësuar z. Mustafa derisa të zgjidhet emërimi i avokatit; dhe URDHËRON Njësinë e Menaxhmentit të Gjykatës që të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për zbatimin e këtij vendimi për aq sa ka të bëjë me qasjen e znj. Alagendra në dosjen e rastit të z. Mustafa”, thuhet në vendimin e kryetares së DhSK-së.

Sipas këtij vendimi thuhet se me 3 janar 2024, Administratorja ka pranuar kërkesën e Mustafës për të zëvendësuar avokatin e tij Julius Von Bone dhe kështu duke emëruar Alegandren si avokate të re në këtë çështje.

Ndërsa, Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës ka parashtruar se ekziston një konflikt interesi si rezultat i emërtimit të Alegandres si përfaqësuese e Mustafes duke u nisur se ajo përfaqëson Jakup Krasniqin në shkallën e parë të kësaj gjykate.

“ZPS parashtron se një konflikt interesi lind si rezultat i emërimit të znj. Venkateswari Alagendra për të përfaqësuar z. Salih Mustafa, duke pasur parasysh se ajo tashmë përfaqëson z. Jakup Krasniqi në një çështje thelbësore para Dhomës së Specializuar. ZPS pohon se Paneli ka “autoritetin e natyrshëm për të mbrojtur drejtësinë dhe integritetin e procedurave” dhe kërkon që Kolegji i Gjykatës Supreme të urdhërojë Sekretarin që të ndërpresë përfaqësimin e z. Mustafa nga znj. Alagendra”, thuhet në vendim.

Pas kësaj, Kolegji i Gjykatës Supreme ka theksuar se ka nxjerr vendimin pa pritur përgjigjen e Alagendrës pasi që kanë vlerësuar se çdo përgjigje e saj do të ishte e parëndësishme. Sipas vendimit, Kodi i Etikës kërkon që të merret pëlqimi nga klientët potencialisht të prekur dhe të njoftohet paneli i cili pastaj do të përcaktojë se a ekziston ndonjë konflikt interesi.

“Kolegji i Gjykatës Supreme thekson se znj. Alagendra mori pëlqimin e informuar si nga z. Krasniqi ashtu edhe nga z. Mustafa.9 Megjithatë, z. Alagendra nuk e njoftoi Kolegjin përkatës, përkatësisht Trupin Gjykues II në të cilin z. Krasniqi është i akuzuar dhe të cilin ajo përfaqëson, për të përcaktuar nëse ekziston një konflikt interesi, para se ajo të emërohej për të përfaqësuar z. Mustafa.10 Në mungesë të një përcaktimi nga Trupi Gjykues II se nuk ekziston konflikt interesi, znj. Alagendra nuk duhej të ishte caktuar nga Sekretari për të përfaqësuar z. Mustafa. Prandaj, vendimi i Sekretarit për emërimin e znj. Alagendra nuk ka efekt ligjor dhe znj. Alagendra do të duhet të njoftojë Trupin Gjykues II, siç parashikohet në nenin 28(4)(b)(1) të Kodit të Sjelljes nëse ajo synon të përfaqësojë z. Mustafa”, thuhet në vendim duke theksuar se administratorja e gjykatës duhet të caktojë urgjentisht një avokat sipas detyrës zyratare për ta përfaqësuar Mustafen deri sa të emërohet dikush tjetër.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është caktuar paneli i gjyqtarëve të Supremes për të vendosur lidhur me kërkesën e Salih Mustafës, me të cilën ka kërkuar zgjatjen e afatit për dorëzimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Në vendimin e marrë më 17 janar 2024, thuhet se lidhur me këtë kërkesë dhe kërkesat e tjera që kanë të bëjnë me këtë çështje, do të vendosin gjykatësit Ekaterina Trendafilovën si kryesuese së bashku me dy anëtarët, gjykatësit Christine van den Wyngaert dhe gjykatësin Daniel Fransen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Komento: