
Paneli i Gjykatës Supreme të Dhomave të Specializuara ka hedhur poshtë në tërësi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga Pjetër Shala, e cila kishte të bënte me vendimin për zhdëmtimin e viktimave.Vendimi u mor më 25 qershor 2026 nga paneli i përbërë nga kryegjykatësja Ekaterina Trendafilova dhe gjykatësit Kristinë van den Vajngart e Daniel Fransen.
Në kërkesën e tij, Shala kishte paraqitur pretendime për disa shkelje në vendimin e Panelit të Apelit, i cili kishte refuzuar ankesën e Mbrojtjes ndaj Urdhrit për Zhdëmtime të 29 janarit 2026.
Megjithatë, Gjykata Supreme i hodhi poshtë të gjitha pretendimet e ngritura, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit lidhur me urdhrin për zhdëmtimin e viktimave.Përveç kësaj procedure, Pjetër Shala ka iniciuar edhe procese të tjera ligjore.
Ai i është drejtuar Dhomës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara, duke pretenduar se gjatë procedurës penale i janë shkelur të drejtat themelore, ndërsa pret edhe nëse Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut do ta pranojë për shqyrtim kërkesën e tij kundër Dhomave të Specializuara të Kosovës.