Suspendimi i policit Amir Hoxha, dorëzohet padi civile dhe kallëzim penal

20:41 | 15 Shkurt 2022

Avokati Gent Gjini ka njoftuar se gjatë ditës së sotme është dorëzuar një padi civile dhe kallëzim penal, që kanë të bëjnë me rastin e suspendimit të zyrtarit policor, Amir Hoxha.

Avokati Gjini në një prononcim para medieve, ka thënë se shkrimi i policit Hoxha ka qenë një mendim i lirë, pa fyer, pa i dhënë konotacion politik, pa anuar dhe pa e prishur imazhin e policisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I njëjti tha se me anë të padisë civile, do të tentohet që polici Hoxha të kthehet në vendin e punës, të kompensohet dhe policia t’i korrigjojë veprimet që i ka ndërmarrë.

Ndërsa, lidhur me kallëzimin penal të paraqitur, avokati Gjini tha se personat që kanë shpërndarë informacionet zyrtare në rrjete sociale me prapavijë tendencioze, duhet të marrin përgjegjësi penale.

“Kallëzimi penal do të jetë për personat përgjegjës në polici, në Drejtorinë e Policisë së Kosovës, sepse informacionet konfidenciale në mes të shtetit kroat dhe kosovar kanë qenë në rrugë zyrtare, ndërsa këto informacione të publikohen në rrjete sociale, të linçohet publikisht, për neve është e papranueshme pasi që për ne kjo është fushatë me qëllime dhe prapavijë tendencioze. Dhe me këtë kallëzim penal, personat që e kanë bërë këtë akt duhet të marrin përgjegjësinë e duhur penale”, tha avokati Gjini.

Ndryshe, pas suspendimit, polici Amir Hoxha kishte reaguar në Facebook, duke thënë se u suspendua nga puna për shkak se kritikoi shpenzimet e deputetëve dhe u ankua se nuk po marrin shtesat e shujtave.

Po ashtu, lidhur me këtë rast, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka thënë se nuk e ka dhënë rekomandimin dhe se nuk është duke e trajtuar këtë rast.

Më pas, avokati Gent Gjini kishte njoftuar se zyrtarit policor Amir Hoxha, i cili ishte suspendua nga puna më 5 shkurt pas një statusi në Facebook, i ishte vazhduar suspendimi nga puna për një afat të pacaktuar kohor.

Komento: