Sveçla akuzon Goran Rakiqin: Po i armatos bandat kriminale brenda barrikadave

19:19 | 20 December 2022

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se janë duke bërë përpjekje maksimale me partnerët për heqjen e barrikadave pa asnjë eskalim të mundshëm.

Deklarata e Sveçlës vjen pas asaj të udhëheqësit të të ashtuquajturit Shtabi i Krizave në pjesën veriore të barrikaduar të vendit, Goran Rakiç, i cili në një përpjekje për të shtrembëruar deklaratën e kryeministrit kosovar, Albin Kurti, dhënë për “The Guardian”, i cili tha se sa i përket heqjes së barrikadave “ekziston shqetësimi që heqja e tyre nuk mund të përjashtojë viktima”, Rakiç e quajti “kërcënim të hapur për vrasje të serbëve”.

Sveçla e ka akuzuar Rakiqin edhe se po i armatos bandat brenda barrikadave.

“Goran Rakic në bashkëpunim me bandat kriminale e të armatosura po i mirëmbanë barrikadat që kanë bllokuar qytetarët tanë dhe pjesëtarët e policisë së Kosovës tash e 11 ditë. E vetmja gjuhë që ata njohin dhe trumbetojnë janë vrasjet ndërsa e vetmja gjuhë që ne njohim është stabiliteti, rendi dhe ligji, ndaj të gjithëve dhe pa dallim. Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale me partnerët tanë për heqjen e barrikadave pa asnjë eskalim të mundshëm në ndërkohë këta po i armatosin bandat brenda barrikadave”, ka shkruar Sveçla.

Postimi i plotë:

Goran Rakic në bashkëpunim me bandat kriminale e të armatosura po i mirëmbanë barrikadat që kanë bllokuar qytetarët tanë dhe pjesëtarët e policisë së Kosovës tash e 11 ditë.

E vetmja gjuhë që ata njohin dhe trumbetojnë janë vrasjet ndërsa e vetmja gjuhë që ne njohim është stabiliteti, rendi dhe ligji, ndaj të gjithëve dhe pa dallim.

Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale me partnerët tanë për heqjen e barrikadave pa asnjë eskalim të mundshëm në ndërkohë këta po i armatosin bandat brenda barrikadave.

Nuk kanë mbështetje nga qytetarët serbë në aktet e tyre kriminale prandaj tentojnë t’i frikësojnë me trillime për vrasje e për lista të paqena.

Nuk ka kompromis me krimin. Kushdo që në cilëndo formë ka cënuar sigurinë e vendit tonë do të ballafaqohet me drejtësinë. Kriminelët dhe qytetarët nuk janë në të njejtën anë. Asesi nuk mund të kushtëzohet liria e lëvizjes dhe zhvillimi i të gjithë qytetarëve me lirinë e kriminelëve që me aktet e tyre terroriste kanë rrezikuar para se gjithash të gjithë qytetarët pa dallim.

Policia e Kosovës është një dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve në tërë territorin e Republikës së Kosovës si dhe në shërbim të ligjit që ju kërkon llogaridhënie shkelësve të tij.

Komento: