
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se arsenali i armatimit i konfiskuar nga institucionet e sigurisë është gjetur në 12 lokacione të ndryshme në Kosovë.
Sveçla tha se armët do t’i nënshtrohen ekzaminimeve dhe analizave të detajuara, për të përcaktuar origjinën, përdorimin dhe lidhjet e mundshme me rastet që po hetohen.
“Armatimet që shihni sot para jush është gjetur në 12 lokacione të ndryshme. Nga sot, ai do t’i nënshtrohet ekzaminimit dhe analizave të detajuara, me qëllim të përcaktimit të origjinës, përdorimit dhe lidhjeve të mundshme me rastet e hetuara, përfshirë edhe ekzaminimin e së paku 23 personave për edhe rasteve të tjera kriminale”, tha Sveçla.
Ai deklaroi se operacioni është rezultat i punës së koordinuar të Policisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe Prokurorisë.
“Ky operacion është rezultat i punës së vazhdueshme dhe profesionale të institucioneve tona të sigurisë, si Policia e Kosovës, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, po ashtu edhe Prokurorisë, të mbështetur në informacion, hetim dhe veprim të koordinuar operacional”, tha ai.
Sipas Sveçlës, gjetja e armatimit dëshmon vendosmërinë e institucioneve të Kosovës për të vepruar ndaj çdo rreziku që cenon sigurinë dhe rendin kushtetues.
“Gjetja e këtij armatimi është dëshmi e qartë se institucionet e Republikës së Kosovës janë të vendosura të veprojnë pa kompromis ndaj çdo rreziku që cenon sigurinë dhe rendin kushtetues të vendit”, deklaroi Sveçla.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme foli edhe për gjetjen e mbetjeve mortore në tri lokacione, ku gjithsej janë gjetur mbetje të 23 personave.
“Siç tashmë është njoftuar opinioni publik, në tri lokacione janë gjetur mbetje mortore të 23 personave. Në lokacionin e parë janë gjetur 13 mbetje, në lokacionin e dytë 4 mbetje, dhe në lokacionin e tretë 6 mbetje mortore”, tha Sveçla.
Ai theksoi se familjarët e personave të zhdukur vazhdojnë të presin zbardhjen e fatit të të dashurve të tyre, ndërsa Kosova kërkon përgjegjësi për personat që kanë urdhëruar, organizuar dhe kryer krimet, si dhe për ata që kanë fshehur trupat dhe informacionet për vendndodhjen e tyre.
Sveçla kritikoi edhe heshtjen e Serbisë dhe Listës Serbe lidhur me gjetjen e varrezës masive dhe konfiskimin e armatimit.
“Është shqetësuese heshtja e shtetit të Serbisë dhe dorës së saj të zgjatur në Kosovë, Listës Serbe, për këto zhvillime, pra për varrezën masive dhe armët e konfiskuara. Heshtja e tyre në fakt është mbështetje e hapur për planifikuesit, organizatorët dhe realizuesit e tyre”, tha ai.
Sveçla tha se puna e institucioneve nuk përfundon me gjetjen e armatimit, por do të vazhdojë me zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e përgjegjësve.
“Puna jonë nuk përfundon me gjetjen e këtyre armëve, ajo vazhdon me zbardhjen e plotë të rrethanave, me identifikimin e përgjegjësve dhe mbi të gjitha me përpjekjet tona për të sjellë drejtësi për çdo të vrarë, të masakruar apo të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë”, përfundoi Sveçla.