
Vetëvendosja në Prishtinë po e sheh të pamundur krijimin e një shumicë të re nga LDK-ja.
E në rast se partia në pushtet nuk arrin t’i krijojë numrat, VV-ja thotë se do të veprojnë.
Kështu u shpreh për Front Online shefi i këshilltarëve të VV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla.
“Unë nuk besoj që LDK do të ftoj një seancë nëse ata nuk arrijnë të krijojnë numrat e nevojshëm. Dihet që minimumi i nevojshëm është 26 asamblist. Duke u bazuar në rrethanat politike që i kemi në kryeqytet ne e dimë që tani për tani LDK i ka tani për tani 15 këshilltar komunal dhe e shoh të pamundur krijimin e një shumice prej tyre, megjithatë ne ua kemi dhënë kohën e mjaftueshme, mirëpo e cila nuk është e pakufishme”, u shpreh ai.
E si pasojë e kësaj, Sveçla tha për Front Online se janë të detyruar që si shumicë të bëjnë kërkesë që të zgjedhin një kryesues të ri.
Ai tha se VV-ja po e diskuton, mirëpo ende nuk është vendosur.
“Mirëpo deri më tani informatat që i kemi nuk e kanë arritur këtë drejtim dhe si rrjedhojë do të jemi të detyruar që si Lëvizje Vetëvendosje të procedojmë me një kërkesë për zgjedhjen eventuale të ndonjë kryesuesi të ri, kjo çështje po diskutohet dhe po analizohet brenda kryesisë së VV-së, dhe grupit të asamblistëve dhe çka do që të jetë vendimi, opinioni duhet të jetë i informuar me kohë”, ka thënë.
Ai u pyet se cilin emër e kanë propozuar, por Sveçla tha se nuk beson se ky emër do të jetë nga Vetëvendosja.
“Nuk kemi diskutuar për emra të përveçëm, ne jemi të interesuar për lëvizjen e proceseve edhe pse jemi grupi më i madh i asamblistëve në Kuvendin Komunal nuk besoj që VV-ja do të propozojë asamblist të vetin për kryesues”, tha Sveçla.