
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka zhvilluar sot një takim pune me zyrtarët e gjendjes civile të komunave të rajonit të Mitrovicës, si dhe me përfaqësues të MPB-së të angazhuar në zbatimin e Ligjit për Automjete dhe Ligjit për të Huaj, të cilët hynë në fuqi më 15 mars 2026.
Gjatë takimit, ministri Sveçla falënderoi pjesëmarrësit për angazhimin e tyre dhe theksoi rëndësinë e koordinimit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal.
“Roli i zyrtarëve është thelbësor për mbarëvajtjen e këtij procesi. Informimi i saktë dhe në kohë i qytetarëve dhe bashkëpunimi me ta janë elemente kyçe për arritjen e rezultateve të synuara”, tha Sveçla.
Ministri nënvizoi gjithashtu përkushtimin e MPB-së për zbatimin efikas të ligjeve.
“Ministria e Punëve të Brendshme po punon me kapacitet të plotë institucional për të siguruar që procesi i filluar të zhvillohet në përputhje me dinamikën e paraparë dhe standardet ligjore në fuqi”, u shpreh ai.
Në kuadër të këtij procesi, MPB ka krijuar ekipe të veçanta mbështetëse, që do të ofrojnë asistencë dhe sqarime për çdo paqartësi gjatë trajtimit të kërkesave, duke kontribuar në rritjen e efikasitetit të procedurave administrative.
Ministria e Punëve të Brendshme mbetet e përkushtuar për zbatimin e plotë të ligjit dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, në funksion të ofrimit të shërbimeve cilësore për qytetarët. /Telegrafi/