Sveçla shuan shpresat për një koalicion në mes të VV-së e LDK-së

14:24 | 27 August 2019

VV jep sinjal se nuk do të ketë koalicion me LDK-në.

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla ka thënë se vendimi i LDK-së për nominimin e Vjosa Osmanit për kandidate për Kryeministre është vendim tinëzar, shkruan Gazeta Express.

Sveçla ka shkruar në Facebook se nxjerrja e kandidatit për Kryeministër tregoi se LDK nuk dëshiron koalicion parazgjedhor.

“Vetëvendosja bëri maksimumin, duke mos paragjykuar as emrin e kandidatit për kryeministër, në mënyrë që gjithçka të vendosej së bashku nga VV e LDK, por me vendimin e pakoordinuar dhe tinzar për të nxjerrë kandidat për kryeministër, LDK tregoi se nuk dëshiron koalicion parazgjedhor”, ka shkruar ish-deputeti.

Sveçla është shprehur se pikërisht sjellja e tillë e LDK-së e ka zvogëluar këtë subjekt 10% më pak në sondazhe.

“Kjo sjellje e LDK vazhdon qysh prej një viti, me hezitim e mos-sinqeritet përballë kërkesave transparente e publike të VV për bashkëpunim. Dhe është pikërisht kjo tinzari e LDK që e ka zvogëluar këtë subjekt 10% më pak në sondazhe brenda një viti, ndërkohë që ka rritur VV me të njëjtën margjinë”, ka shkruar Sveçla.

Ai ka shkruar se shpreson që LDK të paktën të mbajë fjalën që të shkojë e vetme në zgjedhje.

Sveçla ka shkruar se Albin Kurti është politikani më i votuar dhe më i mbështetur.

“Populli ka marrë vendimin për ndryshim, Vetëvendosje prin, Albini është politikani më i votuar dhe më i mbështetur”, ka shkruar Sveçla.

Komento: