Sveçla viziton Akademinë Policore të Kroacisë, falënderon për bashkëpunim

16:33 | 22 Mars 2024
svecla-viziton-akademine-policore-te-kroacise,-falenderon-per-bashkepunim

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla po qëndron për vizitë zyrtare në Kroaci. Në Zagrep ai është pritur me nderime në Akademinë Policore të Kroacisë nga kreu i akademisë Josip Ćelić. Gjatë këtij takimi, Sveçla u njoftua nga delegacioni pritës për historikun dhe programet e akademisë si shtylla kryesore e përgatitjes profesionale të pjesëtarëve të Policisë.

Eprorët e të gjithë sektorëve të akademisë njoftuan ministrin Sveçla për shërbimet, kapacitetet, organizimin dhe programet që zhvillojnë ata e po ashtu edhe për angazhimet që kanë në nivel ndërkombëtar, njofton MPB.

Ministri Sveçla njoftoi nikoqirët për situatën e sigurisë në Kosovë dhe për angazhimet e institucioneve kosovare për sigurinë shtetërore dhe sundimin e rendit dhe ligjit.

Me këtë rast, ministri Sveçla shprehu mirënjohjen e tij për Akademinë e Policisë së Kroacisë për mbështetjen, bashkëpunimin, shkëmbimin e përvojave dhe njohurive me Akademinë tonë policore dhe Policinë e Kosovës.

Në shenjë mirënjohje për vizitën, pas takimit të frytshëm të dy delegacioneve, pjesëtarët e akademisë demonstruan para ministrit Sveçla disa nga shkathtësitë e tyre të fituara në atë akademi si dhe prezantuan disa nga kapacitetet e Policisë kroate që shërbejnë për parandalimin dhe luftimin e krimeve të ndryshme.

Pas këtyre aktiviteteve, ministri Sveçla bashkë me ekipin pritës të akademisë vizituan edhe “Muzeun e Policisë” ku u njoftuan me historikun e krijimit dhe zhvillimit të Policisë kroate.

Komento: