Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka vizituar policët e lënduar, pas aksidentit në veri të vendit.
Ai ka thënë se gjendja e tyre fatmirësisht po përmirësohet, çka ka falënderuar mjekët për kujdesin dhe trajtimin e nevojshëm për rikuperimin e tyre, shkruan Reporteri.net.
Postimi i tij:
Sapo mbërrita mbrëmë nga Kroacia vizitova në QKUK tre policët tanë që po marrin trajtim mjekësor. U takova po ashtu edhe me familjarët e kolegët e tyre.
Me Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia takuam mjekët që po përkujdesen për shëndetin dhe trajtimin adekuat. Ata na njoftuan e siguruan se janë duke i trajtuar policët me kujdesin më të lartë profesional.
Teksa gjendja e tyre fatmirësisht po përmirësohet, falënderoj përzemërsisht të gjithë mjekët të cilët nga mbrëmë kanë bërë të pamundurën që policët tanë të kenë kujdesin dhe trajtimin e nevojshëm për rikuperimin e tyre.
Shkaqet e aksidentit po hetohen por jam shumë i lumtur që djemtë tanë janë jashtë rrezikut për jetë.
Iu uroj të kthehen sa më shpejt në detyrë, në shërbim të qytetarëve e vendit tonë.
Policia e Kosovës ka dhënë sot detaje lidhur me aksidentin që ndodhi mbrëmë në veri të vendit, ku mbetën të lënduar tetë pjesëtarë të saj.
Në raportin 24 orësh thuhet se polici që drejtonte automjetin e ka humbur kontrollin mbi të dhe ka dalë jashtë rrugës dhe si pasojë lëndime ka marrë vetë ai dhe shtatë policë të tjerë, që kanë qenë në kryerje të detyrës.