Xhelal Sveçla ka thënë se sapo ka pranuar raportin nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave, ku thuhet se në zonën e Dukagjinit ka dëme të ndryshme nga vërshimet.
Sveçla i bëri thirrje qytetarëve që përballë kësaj situate të krijuar, të kenë kujdes të shtuar.
“Momentalisht, situata është duke u menaxhuar dhe është në monitorim të vazhdueshëm nga Qendrat Emergjente në të gjitha komunat”.
“Përballë kësaj situate të krijuar, ju bëj thirrje të gjithëve për kujdes të shtuar. Qendrat Operative Emergjente janë në detyrë dhe në gjendje gatishmërie andaj ju lus të kontaktoni përmes numrit emergjent 112 rreth çdo vështirësie me të cilën mund të përballeni”, ka shkruar Sveçla.
Tutje, ai tha se ekipet e menaxhimit të emergjencave janë në terren që nga orët e hershme të mëngjesit dhe kanë raportuar të gjitha rastet e evidentuara.
Kujtojmë se në shumë fshatra të vendit janë raportuar vërshime si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut në dy ditët e fundit.