Mbetët i paqartë intervistimi nga Gjykata Speciale për Sylejman Selimin, pasi që ky i fundit vazhdon të trajtohet në QKUK.
Ish-komandanti i UÇK-së Sylejman Selimi, edhe një ditë pas asaj kur do të duhej të intervistohej nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, po vazhdon të jetë i shtrirë në QKUK, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Mjekët insistojnë se Selimi duhet të qëndrojë të paktën dhjetë ditë nën përkujdesje mjekësore. Ndihmën e këtyre të fundit, Selimi nga burgu i Dubravës e ka kërkuar gjatë së dielës.
Ka disa ditë që Sylejman Selimi është i shtrirë në Kliniken e Otorinolaringologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ai gjatë fundjavës, derisa ndodhej në vuajtje të një dënimi për krime lufte në burgun e Dubravës, ka kërkuar ndihmën mjekësore pas simptomave të marramendjes dhe paqëndrueshmërisë në lëvizje, të shoqëruara me të vjella.
Që nga fillimi, mjeket kanë pohuar se ish-komandantit të përgjithshëm të UCK-së do të i duhet të qëndrojë të paktën 10 ditë në spital.
Gjendja e tij raportohet të jetë edhe sot stabile, pas pesë ditësh qëndrimi në QKUK.
“Problemi qëndron tek veshi i mesëm që lidhet me trurin”, ka thënë Hajdin Thaçi, drejtor i Klinikës ku është shtruar ish-komandanti i UCK-së.
“Pra ka marramendje të shoqëruara me jostabilitet, gjendja e tij nuk është i sigurt pasi ka të vendosur edhe një aparat brenda veshit dhe këto raste trajtohen me terapi të llojllojshme dhe ky trajtim zgjat deri në 10 ditë, por gjendja e tij vazhdon të ketë nevojë për trajtim të mëtutjeshëm”, thotë ai.
Sylejman Selimi më 9 janar ishte paraparë të intervistohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për Kosovën në Hagë.
Këta të fundit kanë sqaruar për Gazetën Express se në rastet si ai i Sulltanit, kur një i ftuar nuk paraqitet në mënyrë të rregullt për intervistim, dhe arsyeton atë për shkak të sëmundjes.
“Sipas qasjes praktike: Personi i sëmurë mund ta justifikoj mungesën e tij/saj”, tha të hënën Christopher Bennett.
Se Selimi është ftuar për intervistim konfirmon edhe Avokati Tomë Gashi.
“Ne ekipi i avokateve jemi duke negociuar me Zyrën e Prokurorit Special për intervistimin e z. Sylejman Selimit në Prishtinë për një datë të papërcaktuar kur gjendja e tij shëndetësore të normalizohet”, ka shkruar Tomë Gashi, para tre ditësh.
E sa i përket kësaj kërkese, zëdhënësi i ZPS-së paralajmëron se një gjë e tillë edhe mund të ndodhë, duke cituar piken 11 të nenit 35 të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i miratuar në Kuvend të Kosovës në gusht të vitit 2015.
“Sa i përket vendndodhjes ku do të mbahen intervistat nga Zyra e Prokurorit tё Specializuar tё Kosovës, neni 35, pika 11 thotë: 11. Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka selinë në shtetin pranues dhe mund t’i ushtrojë kompetencat dhe funksionet e saj në Kosovë, në shtetin pranues dhe në çdo shtet tjetër që bie dakord për atë”, thotë Bennett me e-mail.
Ndryshe, përveç ish-komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së, e ashtuquajtura Gjykata Speciale deri më tash, nga figurat kyçe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka ftuar për intervistim edhe dy ish-komandantë tjerë të Zonës Operative të Drenicës, dy të asaj të Llapit, ish-kryetarin e Gjykatës Ushtarake dhe disa ish-ushtarë të tjerë të UCK-së.
Sylejman Selimi në Kosovë është i dënuar më 7 vjet burgim për krime lufte, me aktgjykim të plotfuqishëm, në një nga rastet gjyqësore të njohura si “Drenica”.