Sylvinho prezantohet zyrtarisht te Shqipëria, këto janë fjalët e tij të para

12:15 | 09 January 2023

Sylvio Mendes Campos Junior është prezantuar sot nga Federata Shqiptare e Futbollit në ambientet e stadiumit “Air Albania”.

Braziliani edhe zyrtarisht nga dita e sotme do të marrë drejtimin e Kombëtares së Shqipërisë.

Gjatë prezantimit ai e nënshkroi kontratën e vlefshme deri në vitin 2024.

I njohuri si Sylvinho do të zëvendësojë në këtë detyrë Edoardo Rejan, i cili ishte në krye të kuqezinjve për 3 vite e gjysmë.

Trajneri i ri i “Kuqezinjve” ka falënderuar Rejan për punën e bërë.

“Doja t’u falënderoja që jeni këtu. Jam i kënaqur. Puna e një trajneri është e vështirë, kurrë e thjeshtë. Duhet të bëjmë zgjedhje, herë fiton e herë jo. Falënderoj Rejan për punën e bërë, këta futbollistë, zemrën dhe pasionin”, tha fillimisht Sylvinho para gazetarëve.

“Kemi dëshirë të sjellim rezultate pozitive për të dërguar kombëtaren në pozicionin e duhur. Këtë pashë kur takova presidentin për herë të parë. Edhe ai pa te ne urinë dhe dëshirën për të bërë mirë, për t’i dhënë vazhdimësi projektit”, shtoi ai.

“Të gjithë flasin për zgjedhjet e trajnerit apo pozicionin e tij. FSHF më bindi të merrja përsipër këtë punë. Jemi të kënaqur, besoj do bëjmë një punë të mirë”, deklaroi Sylvinho.

48-vjeçari ka përzgjedhur si ndihmës të tij argjentinasin, Pablo Javier Zabaleta Girod, dhe brazilianin Dorival Guidoni Junior.

Komento: