
Kosova mund të ecë para në interes të integrimit të shpejtë evropian, pavarësisht palës tjetër, ka thënë ambasadori i Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog. Szunyog ka sqaruar se Kosova mund të zgjidhë një numër çështjesh të brendshme në funksion të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.
“Një çështje që është aty, është Asociacioni i komunave me shumicë serbe”, ka specifikuar ambasadori i BE-së.
Por kur është pyetur se nëse Kosova mund të mbetet duarthatë edhe nëse përmbushë kërkesën për Asociacionin, Szunyog ka thënë se procesi është disi më i komplikuar.
“Kosova ka paraqitur aplikimin për anëtarësim në BE. Nëse e shikoni në Traktatin e BE-së e shihni se ka nen të caktuar që thotë se hapat në zgjerimin apo integrimin e anëtarëve të rinj, duhet të merren nga Këshilli me unanimitet”.
Ai po ashtu nuk ka dhënë një afat se kur Kosovën mund t’i hiqen masat e as ka sqaruar arsyet se pse nuk është vepruar të paktën njësojë edhe ndaj Serbia, përkundër implikimeve në rastin Banjska e edhe qëndrimit se nuk do të zbatojë marrëveshjen./FrontOnline/