Szunyog lavdëron FSK-në për ndihmën pas tërmetit në Turqi

19:00 | 15 February 2023

Shefi i BE-së në Kosovë lavdëron FSK-në për ndihmën pas tërmetit në Turqi.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomasz Szunyog, ka lavdëruar ekpipën e kërkim shpëtimit të FSK-së, që ndodhen në Turqi pas tërmetit shkatërrues.

Në një shkrim, Szunyog shprehet i lumtur që Kosova i ka dalë në ndihmë Turqisë.

“Dua të përshëndes përpjekjet e kërkim-shpëtimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në Turqi, gjatë dhjetë ditëve të fundit. Deri më tani ata kanë arritur të shpëtojnë katër jetë, përfshirë dy fëmijë. Krenar që shoh Kosovën duke iu bashkuar BE-së dhe përpjekjeve ndërkombëtare të shpëtimit”, u shpreh ai.

Ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës që nga mëngjesi i 8 shkurtit, janë duke operuar me kapacitete të plota në Hataj të Turqisë.

Përveç shpëtimit të fëmijës, pak orë më vonë, FSK-ja njoftoi se kanë nxjerrë të gjallë nga rrënojat edhe nënën e fëmijës.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha të martën se më shumë se 35 mijë njerëz kanë vdekur në Turqi si pasojë e tërmetit të javës së kaluar, duke e bërë atë fatkeqësinë më vdekjeprurëse që nga themelimi i vendit 100 vjet më parë.

Ai shtoi se më shumë se 13,000 njerëz po marrin ndihmë mjekësore në spitale.

Komento: