Szunyog thotë se pesë shtetet e BE’së po presin rezultatin e dialogut për të parë se si do t’ia bëjnë me Kosovën.
Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qipro janë pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, ka deklaruar se sipas diskutimeve që ka pasur me përfaqësues të këtyre shteteve, ata presin që të ketë përparime në dialog me Serbinë. Ndërkohë njohës të rrethanave politike konsiderojnë që diplomacia kosovare duhet të lobojë më shumë të këto shtete.
Pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. E sigurisht që mosnjohja e tyre ka ndikuar dhe po vazhdon të ndikojë në rrugën integruese të Kosovës. Shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, në një intervistë për Radio Kosovën ka deklaruar se sipas diskutimeve që ka pasur me përfaqësues të këtyre shteteve, ata presin që të ketë përparime në dialog me Serbinë dhe normalizim të marredënieve ndërmjet dy shteteve.
“Sipas asaj që kam parë unë gjatë diskutimeve të mia me përfaqësues të zyrave ndërlidhëse të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën por që kanë zyrat e tyre në Prishtinë, ata presin të shohin përparim në dialogun me Serbinë dhe normalizim të raporteve. Kjo mendoj që mund të ndikojë te këto shtete për të parë se si do të vazhdojnë më tutje”, ka deklaruar Szunyog.
Ndërkohë edhe njohës të çështjeve politike në vend janë të mendimit që këto vende për ta njohur pavarësinë e Kosovës presin zhvillime në dialog. Por të njëjtit konsiderojnë që Kosova duhet të lobojë më shumë. Analisti Dorajet Imeri, ka thënë për Radio Kosovën se mos njohja e këtyre shteteve evropiane deri më tash i ka kushtuar shumë Kosovës.
“Mosnjohja e këtyre shteteve do t’i kushtojë Kosovës siç i ka kushtuar deri më tani. Ndërkaq njohja eventuale do të mundë të ndodhë vetëm pas një marrëveshje eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, së paku ky është qëndrimi i disa prej shteteve, sidomos Spanja dhe Sllovakia deri diku edhe Rumania, kanë qenë mjaft të ashpra për sa i takon qëndrimit kundrejt Kosovës”, ka deklaruar Imeri.
Analisti tjetër, Artan Muhaxheri vlerëson se diplomacia kosovare duhet të bëjë me shumë për t’i bindur këto shtete që ta njohin Republikën e Kosovës.
“Për fat të keq, diplomacia kosovare nuk është në nivelin e duhur për sa i përket lobimit. Shohim një mos aleancë dhe mungese të dinamizmit dhe të energjisë në këtë asket. Nuk ka ndonjë indikacion që Qeveria e Kosovës po punon fuqishëm në këtë aspekt”, është shprehur Muhaxheri.
Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia, Qipro janë pesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë, që nga shpallja e pavarësisë 117 vende e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur. Izraeli është vendi i fundit që ka njohur pavarësinë e Kosovë, dy vite më parë.