Tabe Krasniqi, shembull i një fermereje të suksesshme

14:20 | 17 November 2019

Sektori i bujqësisë, është bërë atraktiv edhe për femrat, të cilat me angazhimin e tyre në veprimtari bujqësore po tregohen mjaft të suksesshme. Njëra ndër këto fermerë është edhe Tabe Krasniqi, e cila ka më shumë se 10 vjet që merret me mbarështimin e lopëve qumështore. Veprimtarinë e saj blegtorale ajo e zhvillon në fshatin Vitomiricë të Pejës, ku menaxhon një fermë të lopëve me rreth 80 krerë lopë qumështore.

“Ferma jonë merret kryesisht me rritjen e lopëve qumështore. Kemi diku 80 krerë lopë dhe veprimtarinë në këtë fermë e kam nisur para 10 viteve”, tregon blegtorja, Krasniqi, duke treguar se në këtë veprimtari ajo ka të punësuar katër persona.

E dita e një blegtoreje asnjëherë nuk është rutinë. Kjo për shkak të sfidave që ka kjo punë. Tabe Krasniqi përkundër shumë sfidave ia ka dalë mbanë kësaj pune. “Çdo biznes i ka ato vështirësitë e veta, por duhet me qenë këmbëngulës që të arrish qëllimet. Kjo veprimtari sjell edhe përfitime, e krahas kësaj ka edhe vështirësi”, thotë ndër tjerash ajo, duke shtuar se punën në sektorin e blegtorisë më mirë e kryen një grua se sa një mashkull.

Veprimtarinë e saj blegtorale, ajo planifikon që ta zgjerojë edhe më tej, duke e rritur numrin e lopëve në fermën e saj.

Mbështetje për investimet në fermën e saj, fermerja Krasniqi, ka marrë edhe nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

“Kjo stallë është rinovuar përmes mbështetjes së MBPZhR-së me grantin investiv prej 100 mijë euro, ku vlera e mbështetjes së ministrisë në këtë grant ka qenë 60 për qind, ndërsa vetë financimi ka qenë 40 për qind, por krahas kësaj investime në fermë kërkohen prapë, pasi që mungon edhe dhoma e qumështit”, ka thënë ajo.

Përveç blegtorisë, Krasniqi merret edhe me kultivimin e disa kulturave bujqësore, sic është gruri dhe misri, ku falë angazhimit të saj e bashkë me këtë edhe mbështetjen së Ministrisë së Bujqësisë, rezultatet në këtë fermë nuk po mungojnë. Nga kjo veprimtari bujqësore, kjo familje po gjeneron të ardhura të kënaqshme, si dhe ka arritur të punësojë edhe persona tjerë.

“Ky biznes është komercial, nuk është biznes familjar, ku nga të ardhurat që sigurojë këtu mbajë katër fëmijë dhe burrin. Sidomos përmes kësaj veprimtarie kam arritur të mbulojë shpenzimet për shkollimin e tyre”, thotë ajo.

Ndryshe, MBPZHR-ja po vazhdon mbështetjen e sektorit të blegtorisë, si përmes granteve investive ashtu edhe përmes subvencioneve.

Komento: