Tahiri ka thënë se nga një proces teknik, Bashkimi Evropian e ka kthyer liberalizimin në një telenovelë.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë që Bashkimi Evropian e ka kthyer çështjen e liberalizimit të vizave në siç e quan ai “një telenovelë”.
“Telenovela e BE-së. Nga një proces teknik dikur, me kalimin e kohës, BE-ja e ktheu liberalizimin në telenovelë. Me diskutimin e kushteve shtesë, mësojmë dy gjëra: së pari, që nuk ka proces brenda BE-së, ku protagonizmi i vendeve anëtare nuk hyn në lojë. Kësaj radhe Franca, radhën tjetër si dihet cilit nga 27 vendet. Dhe, së dyti, edhe pse e vështirë ta faktualizojmë, mundësia që zvarritjet, siç themi ne, ‘ngreh e mos e këput’, të shërbejnë si levë dhe si karotë në raport me pritshmëritë për dialogun të vendeve lidere të BE-së”, ka shkruar ai në Facebook.
Tutje Tahiri ka thënë që dinamika e këtij procesi do ta dëshmojë nëse pas padrejtësisë universale shumëvjeçare ndaj Republikës së Kosovës nga ana e BE-së, “po bëhet diplomaci jo transparente dhe kushtëzuese”.
“Kjo telenovelë si bënë nder BE-së. Tërë këto vite janë asgjë më shumë se një qasje e gabuar dhe e padrejtë kolektive e BE-së ndaj Republikës së Kosovës në këtë proces. Si patëm borxh askujt trajtim eksperimental”, tha ai.