Tahiri e prezanton Kadri Veselin si kryeministër në ardhje

12:11 | 04 May 2019

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri thotë se Kadri Veseli është kryeministër në ardhje, vizioni i të cilit do të krijoj progres e zhvillim në vend.

Pas mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor në Vushtrri, Abelard Tahiri përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se së shpejti do të mbahen edhe zgjedhjet në nivel qendror.

Sipas ministrit të Drejtësisë, zgjedhjet në dega që kaluan në kulturë të lartë, i dhanë shpirt Dekadës së Re dhe vizionit të liderit të PDK-së, Kadri Veselit.

“Pas angazhimit të mijëra anëtarëve, pjesëmarrësve dhe mbështetësve të PDK-së, sot përmbyllëm me sukses kuvendin zgjedhor të Partisë Demokratike të Kosovës në Vushtrri, duke ia shtuar kështu edhe këtë qytet unik, hartës së qyteteve që për muaj me radhë i dhanë shpirt Dekadës së Re dhe vizionit të liderit të PDK-së, Kadri Veselit. Tashmë ka mbetur edhe pak kohë nga momenti kur Partia Demokratike e Kosovës, kulturën e lartë politike të gjeneruar përmes zgjedhjeve të brendshme nëpër degë, ta bartë në zgjedhjen e strukturave të reja të saj në nivel kombëtar” ka shkruar Tahiri.

Për Tahirin, Veseli është kryeministër në ardhje, vizioni i të cilit do të sjell formulë të progresit, zhvillimit dhe ngritjes së njeriut të Kosovës.

“Fryma e Dekadës së Re që është duke zënë vend legjitim dhe jashtëzakonisht të fuqishëm në shoqërinë tonë do ta prodhojë një formulë të progresit, zhvillimit dhe ngritjes së njeriut të Kosovës në vendin që atij i takon me të drejtë. Kjo formulë e legjitimuar në çdo fshat dhe qytet, do materializohet në çdo segment nga Kadri Veseli, kryeministri në ardhje i Republikës së Kosovës” ka përfunduar Tahiri statusin e tij.

Komento: