Tahiri thotë se në raportin e PE-së ka pasaktësi serioze, së shpejti dalim me një përgjigje si shtet.
Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, duke komentuar përmbajtjen e raportit të Parlamentit Evropian të publikuar ditë më parë, tha se ai është i disa autorëve dhe nuk paraqet domosdoshmërisht qëndrimin e PE-së.
Ai tha se raporti është një hulumtim për dezinformatat në Ballkanin Perëndimor.
“Për me qenë pak më të saktë, ky raporti është i komisionuar në emër të Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian. Pra, është raport i disa autorëve, i cili në hyrje të dokumentit thotë që të gjeturat dhe qëndrimet që jep ky raport, jo domosdoshmërisht janë qëndrime të Parlamentit Evropian. Që nënkupton që ky nuk është një qëndrim i Parlamentit Evropian aty çka shkruhet, por janë gjetje të disa autorëve që e kanë bërë një vlerësim dhe një hulumtim në Ballkanin Perëndimor rreth aspektit të dezinformimit”, tha Tahiri në Klan Kosova.
Numri dy i Qeverisë theksoi se janë duke u përgatitur për t’i dhënë një përgjigje të unifikuar si shtet lidhur me raportin.
“Unë raportin e kam lexuar personalisht. Sot e kam thirr ministren e Punëve të Jashtme, kemi pasur një takim bashkërisht edhe me ministrin e Drejtësisë, kam pasur një diskutim edhe me kryeministrin në mënyrë që të kemi një përgjigje si shtet, si qeveri dhe në mënyrë që ne të kemi një qëndrim të përbashkët për këtë raport”.
“Jemi duke i bërë vlerësimet tona të parat. Ajo se çka dua të them se së pari këtu Kosova në raport me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor është në një pozicion më të mirë aty ku flet për agjendën e prezencës së Rusisë dhe Kinës, është një vend që realisht nuk ka prezencë dhe investime në këtë temë”, tha ai.
Tahiri shtoi se në përmbajtjen e raportit në disa pika ka pasaktësi serioze dhe të diskutueshme.
“Mirëpo, në anën tjetër janë disa gjetje që janë goxha të diskutueshme. Ka të bëjë me një gjetje që e ka bërë një gazetare Arta Berisha, që lidhet drejtpërdrejt me pozicionin e ushtrues së detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Pastaj lidhet edhe me këtë shtëpi ku jemi këtu, pra me Klan Kosovën. Ka disa pasaktësi në raport. Tutje edhe për një televizion që e portretizon si televizion shtetëror, e pastaj ai është televizion rajonal e kështu me radhë”.
“Në raport ka pasaktësi serioze me agjendën që lidhet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk ka asnjë logjikë të ketë një krahasim mes një agjende të vendeve të lindjes, të Rusisë, Kinës dhe vendeve tjera, dhe të ndërlidhen me simbolin e lirisë shtypit dhe lirisë së qëndrimeve politike që janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Tahiri.