Tahiri i kundërpërgjigjet Veliut: Vendimi është marrë duke u bazuar në nenin 31 të statutit të LDK-së

23:02 | 09 June 2021

Xhafer Tahiri i kundërpërgjigjet Veliut: Vendimi është marrë duke u bazuar në nenin 31 të statutit të LDK-së.

Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka treguar se heqja e kompetencave të kryetarit të degës së Podujevës për Agim Veliun është bazuar në nenin 31 të statutit të LDK-së.

Ai ka komentuar deklaratën e Agim Veliut se largimi i kompetencave për të ishte i jashtëligjshëm dhe jo në parim me statutin e LDK-së.

“Është bërë një marrëveshje pa pëlqim. Kemi qenë duke diskutuar për të bërë një marrëveshje të madhe e për të tejkaluar të gjithat. Ata sot paskan marrë vendim ilegal, ilegjitim për mua. Është në kundërshtim me statutin e LDK-së. Nuk ka të drejtë askush pa proces të ndryshojë kryetarin, me zgjedhë, shkarkuar ose ngarkuar. Për këtë punë Kuvendi është”, ka thënë Veliu për Indeksonline.

Tutje ai është shprehur se në asnjë rrethanë nuk do të pajtohet me një vendim të tillë.

“Në këtë rast Kryesia ka marrë vendim kundër statutit. Nuk ka të drejtë për këtë vendim. Ky është vendim që është marrë pa koordinimin e strukturave të LDK-së. Ky është një vendim ilegal për mua. Jolegjitim.”, shtoi Veliu.

Tahiri, që është edhe anëtar i Kryesisë së LDK-së, ka thënë se vendimi është i bazuar në statut.

“Mund të them se vendimi është marrë me nenin 31 të statutit të LDK-së që thotë se Kryesia e LDK-së mund të organizojë zgjedhje, të ndërrojë apo edhe të shkarkojë anëtarë në degë të LDK-së. Besoj që kontributi i Agim Veliut është i mirëpritur. Por besoj gjithashtu se LDK nuk ka më komoditet që të tolerojë humbjet. Do e shihni në tetor kur Ekrem Hyseni të rikthejë komunën e Podujevës që ne kemi pasur të drejtë”, tha ai.

Komento: