Tahiri i reagon ashpër Vuçiqit: Këpucët e ushtarëve serbë kurrë nuk do të shkelin në veri

22:37 | 28 May 2019

Tahiri i është kundërpërgjigjur Vuçiqit.

Ministri i Drejtësisë në Kosovë, Abelard Tahiri u është përgjigjur deklaratave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili kishte paralajmëruar dërgimin e ushtrisë serbe në veri nëse eskalon situata në veri.

Tahiri ka thënë se grupet kriminale në veri që u goditën sot, jo rrallëherë e kanë gjetur përkrahjen e presidentit serbe Aleksandër Vuçiq.

“Deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq gjithmonë kanë mbetur në nivel të deklaratave dhe në të ardhmen do të mbesin njëjtë. Kjo çfarë ka ndodhur sot ka qenë goditje e grupeve kriminale që jo rrallë herë e kanë gjetur përkrahjen e presidentit [Aleksandar] Vuçiq”.

“Një nga kriminelët kryesor që kërkohet nga drejtësia kosovare, edhe për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq, strehohet nga presidenca serbe. Ne, presidencën serbe e shohim fatkeqësisht si ombrellë të këtyre kriminelëve që ua vështirësojnë jetën edhe serbëve të Kosovës”, tha Tahiri në Klan Kosova.

Tahiri ka siguruar se serbët e veriut të Kosovës nuk mund të barikadohen dhe rrugët nuk do të bllokohen.

“Këto rrugë nuk do të bllokohen. Ne kemi institucione të Republikës së Kosovës që janë në dispozicion të të gjithë qytetarëve dhe për të garantuar sigurinë e të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe komunitetin serb”.

“Ne nuk do të lejojmë, në asnjë rrethanë, që të ketë asnjë bllokadë për qytetarët tanë. Policia e Kosovës do të lëviz lirshëm në gjithë territorin e Kosovës. Do të vazhdojmë t’i godasim grupet kriminale në të gjitha pjesët e Kosovës”.

Komento: