Tahiri: Ideja për shkëmbim territoresh nuk është e Thaçit, por është ide e vjetër serbo-ruse – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Tahiri: Ideja për shkëmbim territoresh nuk është e Thaçit, por është ide e vjetër serbo-ruse

22:38 | 14 Janar 2019

Edita Tahiri thotë se presidenti Thaçi ka hyrë në skenarë të rrezikshëm për vendin.

Ish-udhëheqësja e dialogut me Serbinë, Edita Tahiri, është e befasuar me përbërjen e Ekipit negociator.

Ky ekip, sipas saj, përveç që është jo legjitim, nuk ka një përgatitje serioze dhe një platformë të qartë për dialogun.

Tahiri, në një intervistë për KTV-në, ka thënë se duhet të gjendet një rrugë që në këtë ekip të përfshihen edhe dy partitë opozitare, LDK-ja dhe Vetëvendosja, e si zgjidhje për gjithëpërfshirje në këtë proces, e sheh formimin e një qeverie uniteti.

Ideja për shkëmbim territoresh, sipas Tahirit, nuk është e presidentit Hashim Thaçi, por është ide e vjetër serbo-ruse.

Sipas saj, në kohën sa udhëhiqte bisedimet në Bruksel, ka pasur tendenca jozyrtare nga pala serbe që të përfshihen kufijtë.

Sipas Tahirit, presidenti Thaçi ka hyrë në skenarë të rrezikshëm për vendin, derisa thotë se po manipulon me përkrahjen e SHBA-së.

Tahiri ka thënë se Kosova dhe qytetarët e saj nuk duhet të lejojnë që të ndodhë ndryshimi i kufijve, duke theksuar se një gjë e tillë duhet kundërshtuar edhe përmes protestave në rrugë.

Komento: