Tahiri: Kurti si opozitar i premtonte Jasharajt se do t’i plotësojë kërkesat, tash as s’dialogon

13:24 | 15 Shtator 2022

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, vlerëson se kuvendi i hapur dhe shkollat e mbyllura nuk është një pamje e duhur për Republikën e Kosovës.

Madje, Tahiri thotë se shkollat nuk u mbyllën as në vitet e 90-ta kur kuvendi ishte i ndaluar për shqiptarët.

“Kjo është java e tretë që po e përmbyllim që nxënësit nuk shkojnë në shkolla dhe pjesa më e madhe e administratës shtetërore vazhdon grevën. Të gjithë qytetarët e kanë një hall të përbashkët, në vend se fëmijët t’i kenë në shkollë i kanë në shtëpi”.

“Një kuvend i hapur e shkolla të mbyllura nuk është fotografia që duamë për Republikën tonë sepse për një pamje e tillë duhet ta kishim fuqinë ta parandalonim sepse shkollat s’janë mbyllur as atëherë kur Kuvendi u mbyll dhunshëm për shqiptarët në vitet e 90-ta”.

“Dallimi është se atëherë mësimdhënësit dhe qytetarët i mbajti vullneti për shtet, e sot shtet kemi dhe është e papranueshme me i mbyll shkollat. Realisht as Sindikata as Qeveria nuk preken drejtpërdrejtë nga grevat, por fëmijët, prindërit e të tjerët po”, tha Tahiri.

Megjithatë, Tahiri thotë se mësimdhënësit kanë kërkesa legjitime teksa ka folur edhe për kohën kur Kurti ishte opozitar.

“Mësimdhënësit sot kanë kërkesa konkrete, që në parim janë legjitime, e për të qenë të mundura duhet të shtrohen, të bisedohen e të shihen mundësitë për jetësimin e tyre. Pas tri javësh në grevë nuk ka debat, e pikërisht këtë e kemi ngritur për debat”.

“Para dy vjetësh kur Kurti ishte opozitar i premtonte Jasharajt se do t’i plotësohen kërkesat dhe kushtet sepse kritika e tij ishte që qeveritë dialogonin me sindikatat por kushtet s’ua plotësonin. Por, e gjithë kjo s’ka ndodhur para një shekulli ka ndodhë para dy vjetësh tash po i ikë dialogut”, tha Tahiri.

Tahiri shkoi edhe më tutje duke thënë se “Me pa Albini në fotografi njeriun e para dy vitesh, besoj se kryeministri e tanishëm besoj do e kishte pështy në fytyrë”,tha ai.

Komento: