Tahiri merr lajm të mirë në lidhje me kërkesën ndaj Serbisë – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Tahiri merr lajm të mirë në lidhje me kërkesën ndaj Serbisë

17:34 | 28 Janar 2019


Ministrja franceze e Drejtësisë, Nicole Belloubet i ka dërguar një letër Ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, në të cilën ajo shpreh mbështetjen e saj në raport me politikat ndaj Serbisë.

Ajo në letër thotë se e përkrah kërkesën e bërë nga Tahiri për ushtrim të presionit nga homologët evropianë kundrejt Serbisë për të hapur arkivat në mënyrë që të dihet fati i personave të zhdukur gjatë luftës, transmeton ORAinfo.

Postimi i plotë:

Personat e zhdukur nga lufta në Kosovë, janë plagë e rëndë jo vetëm për familjarët por për gjithë shoqërinë tonë dhe kjo temë që rëndon mbi supet tona duhet të marrë një epilog. Në referencë të kërkesës sime drejtuar homologëve të vendeve të Bashkimit Evropian, për të shtuar presionin ndaj Serbisë që të hapë arkivat dhe të jap çdo informacion në lidhje me fatin e personave të zhdukur, sot kam pranuar një letër nga Ministrja e Drejtësisë e Francës, znj. Nicole Belloubet, përmes së cilës kam marrë mbështetje të plotë dhe të tërësishme në kërkesën time. Jam tejet falënderues ndaj Ministres Belloubet që iniciativa ime ka gjetur mbështetje të gjerë dhe me këtë rast, sërish ftoj vendet e Bashkimit Evropian për ta trajtuar me prioritet këtë çështje të rëndësishme për shoqërinë tonë. Gjithashtu ftoj shtetin serb që të reflektojë seriozisht dhe të marrë përgjegjësitë e veta ndaj kësaj kërkese. Kjo nuk duhet parë si temë politike, por si një përkushtim mbi bazën e humanizmit, sepse është e drejtë themelore e familjarëve për të ditur mbi fatin e më të afërmeve të tyre dhe Republika e Serbisë ka përgjegjësi ndaj kësaj çështje. – ka shkruar Tahiri në llogarinë e tij në “Facebook”, transmeton ORA info.

Komento: