Sot, deputeti i Kosovës, Labinot Tahiri ka dorëzuar pasaportën e tij diplomatike,.
Këngëtari i muzikës tallava, tash deputet i AKR-së, Labinot Tahiri kishte premtuar se do të dorëhiqej krejtësisht nga pozita e deputetit në rast se kosovarët nuk marrin vizat. Por, ai si duket u mjaftua vetëm duke e dorëzuar në MPB pasaportën e tij si shenjë proteste.
Këtë zotim Tahiri e kishte thënë para rrafsh një viti.
“Nëse nuk ka ndonjë lëvizje brenda 1-apo 2 muajt e ardhshëm të këtij viti, duke shpresuar realizimin e kërkesave që u takojnë qytetarëve, unë do të dalë në anën e juaj dhe do të jap DOREHEQJEN SI DEPUTET, sepse nuk ndjehem mirë nëse unë jam i ulur aty, e ju vazhdoni t’a keni jetën e vështirë”, kishte shkruar Labi më 1 janar 2018.
Por, vizat qysh prej asaj dite, jo as pas dy muaj, por as pas një viti nuk janë hequr për banorët e Kosovës.
E as deputeti i AKR-së nuk ka hequr dorë nga mandati i tij, shkruan Gazeta Express.
Megjithatë, ai të premten ka dorëzuar pasaportat e tij në Ministri të Punëve të Brendshme, si shenjë proteste, me gjoja dy viza valide, një Shengen dhe një të SHBA-ve.
Kjo pasi këngëtari i njohur ka kohë që vetë ishte tërhequr nga zotimi për dorëheqje nga posti i deputetit, duke paralajmëruar veç veprimin që e kreu sot, si protestë për mosliberalizim.
“Mosliberlaizimi i vizave është një dëshpërim i madhe për të gjithë qytetarët dhe për mua si deputet. Prandaj unë sot po i dorëzojë pasaportat në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Të them të drejtën më shumë kohë më ka marrë që të kompletojë dokumentet për dorëzimin e pasaportave sesa për marrjen e tyre, por duhet të solidarizohemi me qytetarët”, ka thënë deputeti kosovar, të premten, në një postim të tij.