Tahiri pas anulimit të Ligjit për Byronë: Fitore e shtetit të së drejtës

19:01 | 26 Qershor 2024
tahiri-pas-anulimit-te-ligjit-per-byrone:-fitore-e-shtetit-te-se-drejtes

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Abelard Tahiri ka reaguar pas anulimit të Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Tahiri përmes një shkrimi në Facebook tha se ky anulim është fitore e sundimit të ligjit dhe e të drejtave të njeriut mbi tendencën për frikësim e shantazh nga pushteti!.

“Anulimi i Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është fitore e Shtetit të së Drejtës përballë përpjekeve të vazhdueshme arbitrare të këtij pushteti për të zëvendësuar drejtësinë që duhet ta japin gjykatat me një byro partiake që do të shkatërronte sigurinë juridike të qytetarëve në emër të “reformës” në drejtësi.
Kjo është fitore e sundimit të ligjit dhe e të drejtave të njeriut mbi tendencën për frikësim e shantazh nga pushteti”.

Sipas tij, ky ligj është dëshmi që pushtetit aktual më shumë i intereson propaganda sesa shteti ligjor, sepse përndryshe thotë se do t’i zbatonin ligjet që i kanë trashëguar për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

“Po ashtu, ky Ligj, i rrëzuar sot nga Gjykata Kushtetuese, ishte kundër standardeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare, sepse ishte një kopje e ligjit të Bullgarisë, i cili, vitin e kaluar, u rrëzua nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Falënderoj deputetët e PDK-së dhe ekspertët tanë për punën profesionale në argumentimin e suksesshëm të rastit, si dhe për vendosmërinë që bindjen dhe drejtësinë të mos ia nënshtrojnë propagandës dhe narracioneve populiste”, shkroi Tahiri.

Komento: