Tahiri për çështjen e dinarit: Është dashur të zgjidhet përmes dialogut me qytetarët serb në Kosovë

09:33 | 19 Mars 2024
tahiri-per-ceshtjen-e-dinarit:-eshte-dashur-te-zgjidhet-permes-dialogut-me-qytetaret-serb-ne-kosove


Çështja e dinarit është dashur të zgjidhet përmes dialogut me qytetarët serb në Kosovë.

Kështu po e vlerëson zgjedhjen e kësaj situate, ish-zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri.

Tahiri për Front Online tha se shterja e zbatimit të vendimit është mbrojtje e Kushtetutës.

“Shtyrja e zbatimit të vendimit nuk është shkelje e Kushtetutës por është mbrojtje e Kushtetutës, sepse mbrohet vendimi i Bankës Qendrore, që ishte vendim legal në pajtim me Kushtetutën. Ma mirë Kurti ta kishte pranuar këtë propozim të ndërkombëtareve, se të diskutohet në dialog një çështje e brendshme e Kosovës. Kosova është dashur ta zgjidh këtë çështje përmes dialogut me qytetarët serb të shtetit tonë, duke mësuar nga përvojat tona”, tha ajo.

Edita Tahiri, ish-kryenegociatorja për dialogun Kosovë-Serbi është deklaruar lidhur me mbarëvajtjen e dialogut mes dy palëve.

Ajo në një intervistë për Front Online tha se Bashkimi Evropian duhet ta shpallë të vdekur dialogun.

Sipas Tahirit, kryeministri Kurti e ka dështuar Kosovë duke mos arritur marrëveshje për njohje reciproke mes dy shteteve.

“Dialogu i Brukselit është i dështuar, i vdekur tashmë. Vet fakti se nuk ka zbatim të marrëveshjes zbatuese të Ohrit edhe pas një viti, duhet të shpallet zyrtarisht nga BE-ja se dialogu ka vdekur.

Po ashtu Kurti e dështoi Kosovën në këtë dialog, sepse nuk arriti marrëveshje me njohje reciproke mes dy shteteve, përkundër faktit se kishte përkrahje të fuqishme amerikane për njohje reciproke, te shprehur në letrën e Presidentit Biden”, theksoi Tahiri.

BE-ja duhet të kërkojë që Amerika të ndërmjetësoj dialogun e Brukselit, thotë Tahiri.

“Në këtë kuadër duhet të kemi parasysh se BE-ja ka hyrë në procesin e zgjedhjeve të brendshme, që do të sjellë ndryshimin e aktorëve, do jenë të emëruar tjerë në funksionet e BE-së. Prandaj duhet të ndodh një prerje e kësaj faze që po shkon, ndërsa BE-ja duhet hapur ta pranoj se ka dështuar dhe të kërkoj që Amerika ta ndërmjetësoj dialogun e Brukselit”, u shpreh ajo.

Komento: