Tahiri: Projektligji i ri për deklarimin e pasurisë, efikas për parandalimin e korrupsionit – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Tahiri: Projektligji i ri për deklarimin e pasurisë, efikas për parandalimin e korrupsionit

15:18 | 24 Shkurt 2019

Ministri I Drejtësisë, Abelard Tahiri, në profilin e tij në Facebook ka shkruar sot për projektligjin e ri të deklarimin e pasurisë dhe që sipas tij do të jetë shumë efikas për parandalimin e të keqpërdorimit, konfliktit të interesit dhe korrupsionit.

“Me vite ka pasur debat nëse sistemi aktual i deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik është sistemi i duhur dhe nëse misioni i deklarimit të pasurisë është në funksion të parandalimit të keqpërdorimit, konfliktit të interesit dhe korrupsionit.

Ky debat do të marr fund me projektligjin e ri për deklarimin e pasurisë, të cilin jam duke e përgatitur për ta sponzoruar në Kuvend. Një reformë e thellë është shtruar në këtë projektligj, përmes së cilit po reformojmë secilin aspekt që deri më tani nuk ka funksionuar, duke rritur pritjet dhe përgjegjësitë, duke mundësuar administrim më efikas të të dhënave të deklarimit, duke garantuar zbatim efikas të politikave të reja si dhe duke përmbushur rekomandimet e Bashkimit Evropian” ka shkruar Tahiri.

I pari i drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, ka shkruar se do të shtohen edhe shumë pozita që do të deklarojnë pasurinë, nga cilësimi kuka potencial për abuzim, keqpërdorim të parasë publike dhe konflikt të interesit.

“Deklarimi i pasurisë do ketë mision të qartë, mbështetur edhe me instrumente që e mundësojnë verifikimin e të dhënave. Do kemi ri klasifikim të pozitave që duhet të deklarojnë pasurinë, një listë të re dhe të zgjeruar, jo vetëm nga cilësimi i pozitave të larta publike, por edhe nga cilësimi i secilës pozitë ku ka potencial për keqpërdorim të parasë publike dhe konflikt të interesit.

Deklarimi i pasurisë, bashkë me evitimin e konfliktit të interesit do të konstituojnë instrumente jashtëzakonisht të rëndësishëm në luftën tonë kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit” ka përfunduar Tahiri statusin e tij.

Komento: