Tahiri: Qeveria “Kurti” zhgënjim, Kusari-Lila të dorëhiqet

08:00 | 11 Gusht 2023
tahiri:-qeveria-“kurti”-zhgenjim,-kusari-lila-te-dorehiqet

LDK-ja po konsideron se çdo veprim i Qeverisë së Kosovës për situatën në veri duhet të bëhet në koordinim me aleatët ndërkombëtarë.

Anëtari i kryesisë së kësaj partie Xhafer Tahiri, në një intervistë për Front Online deklaron se do të insistojnë gjithmonë që sovraniteti të shtrihet në tërë territorin e Kosovës, por se koordinimi me aleatët, sipas tij, është i nevojshëm.

“Për LDK-në kurrë nuk ka qenë në pyetje sovraniteti i Kosovës dhe drejta e Kosovës për të shtri sovranitetin në çdo cep të territorit të saj. E kemi kundërshtuar edhe me forcë çdo politikë dhe propozim për ndarje të Kosovës me kohë edhe me kundërshtarë më të ashpër politik dhe natyrisht që do të insistojmë gjithmonë si LDK që të shtrihet sovraniteti në tërë territorin e Republikës së Kosovës, por veprimet atje duhet të bëhen në koordinim me aleatët tonë”, është shprehur Tahiri, për Front Online.

Sipas tij, Qeveria Kurti u ka borxh qytetarëve të Kosovës që të tregojë se çfarë fitoi Kosova politikisht dhe ekonomikisht nga qasja e saj në veri.

 

Tahiri: Qeveria për inat refuzoi planin e LDK-së për shtensionim të situatës në veri

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri në një intervistë për Front Online ka folur edhe për planin shtatë pikësh të LDK-së, për shtensionim të situatës në veri të vendit.

Sipas tij, refuzimi nga qeveria për këtë plan u bë vetëm për inat.

“LDK-ja, ka paraqitur një plan shtatë pikësh  për shtensionimin e situatës dhe për daljen nga kjo gjendje në të cilën është Kosova dhe ky plan shtatë pikësh është refuzuar me inati e jo me arsye. Me inati politik nga qeverisja Kurti dhe nga mazhoranca e Lëvizjes Vetëvendosje, por realisht çfarë po bën Qeveri është pikërisht këto shtatë pika të LDK-së, e që është i përfshirë edhe draftimi i statutit për Asociacionin dhe rrugën për të ardhur deri të zgjedhjet”, ka thënë Tahiri, për Front Online.

Ndërsa, kur është pyetur se a duhet të dorëhiqen kryetarët e zgjedhur në veri, ai ka pohuar se kjo është edhe çështje politike dhe jo vetëm ligjore.

“Qeveria ka filluar hartimin e një udhëzimi administrativ por zgjedhjet janë çështje politike nuk janë vetëm çështje ligjore dhe tani ky udhëzim administrativ e kemi parë që Qeveria nuk e ka përfshirë Asociacionin e komunave të Kosovës dhe është një gabim i madh për shkak se ky udhëzim administrativ afekton tek të gjitha komunat e Kosovës, nuk afekton vetëm katër komunat në veri por që Qeveria ka refuzuar të përfshijë komunat dhe Asociacionin e komunave që është një organ legjitim në Republikën e Kosovës dhe kjo qasje e përplasjes së Qeverisë është shqetësuese”, ka thënë ndër të tjera Tahiri.

 

 

Tahiri: Sanksionet ndaj Kosovës nuk duhet të vendoseshin kurrë, duhet të hiqen menjëherë

Sanksionet ndaj Kosovës nuk duhej të vendoseshin kurrë. Madje duhet të hiqen menjëherë.

Kështu, ka thënë në një intervistë për Front Online, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri.

“Sanksionet ndaj Kosovës duhet të hiqen menjëherë, ato nuk do të duhej të vendoseshin kurrë. Vendosja e sanksioneve ndaj Kosovës është e padrejtë, është një padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës sepse jo të gjithë qytetarët e Kosovës janë dakord me këtë politikë të përplasjes së Albin Kurtit me perëndimin, por vendosja e sanksioneve është një proces tepër kompleks dhe ne e kemi parë se sa shumë kanë paralajmëruar Qeverinë e Kosovës, partnerët tonë, Bashkimi Evropian dhe SHBA-të që mos ndërmerrni veprime sepse do të keni pasoja dhe tani kur janë vendos këto pasoja heqja e këtyre pasojave është po ashtu një proces i vështirë”, ka shtuar Tahiri.

Sipas tij, vendosja e sanksioneve është padrejtësi, por se heqja e tyre kërkon angazhim.

“Heqja e tyre kërkon një angazhim shumë të madh sepse partnerët ndërkombëtarë janë organizata serioze, ata veprojnë në mënyrë serioze, me vështirësi vijnë deri te vendosja e sanksioneve, por edhe me më vështirësi vijnë deri të heqja e tyre, dhe siç duket Qeveria e Kosovës nuk e kupton se sa e rëndësishme është sjellja e përgjegjshme në arenën ndërkombëtare si partner i përgjegjshëm në raport me partnerët tonë ndërkombëtar dhe sjellja e përgjegjshme nënkupton që veprimet janë të koordinuara dhe të sinkronizuara”, është shprehur ai.

Tahiri vlerëson se koordinimi i veprimeve nuk është nënshtrim.

 

Tahiri: Qeveria ta përgatisë draftin e statutit të Asociacionit

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri po thotë se Qeveria e Kosovës duhet ta përgatisë draftin e statutit të Asociacionit dhe mos t’i lejojë të tjerët ta bëjnë një gjë të tillë.

Ndërsa, shton se kjo duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Tani është çështje e moralit politik të Kurtit kundërshtimi gati një dekadë i Asociacionit dhe fakti që e ka pranuar Asociacionin me marrëveshjen e Ohrit, por kjo është një çështje tjetër. Asociacioni i komunave duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ky është qëndrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Çdo statut i Asociacionit duhet të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe të garantojë sovranitetin dhe funksionalitetin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Thënë këtë është detyrë e Qeverisë së Kosovës që ta përgatisë këtë draft-statut dhe të mos i lejojë të tjerët të bëjnë draft-statute sepse këta nuk po bëjnë asgjë”, ka deklaruar Tahiri për Front Online.

Sipas tij, po të ishte e guximshme Qeveria Kurti do ta bënte një gjë të tillë dhe nuk do të lejonte lëvizje ndryshe.

“Pra, po të kishin një qeveri të guximshme, patriotike që e mbron interesin e Kosovës dhe Kushtetutën e Kosovës do të përgatiste një draft dhe të thotë se ky draft është në përputhje me Kushtetutën dhe përtej kësaj nuk lëvizim. Kur, Qeveria e Kosovës nuk e përgatit draftin, natyrisht që mandej dalin shoqata, organizata joqeveritare dhe shtet tjera që përgatisin një draft që mandej nuk na bie taman”, është shprehur ai.

 

Tahiri për audio-incizimet e Kusari-Lilës: Kurti ka qenë i njoftuar

Javë më parë në media janë publikuar disa audio-incizime të shefes së GP-së të partisë në pushtet, Mimoza Kusari-Lilës dhe Slavko Simiqit të Listës Serbe.

Kusari-Lila ka deklaruar se kryeministri Albin Kurit nuk ka qenë në dijeni për këtë, por se e ka kuptuar më vonë.

Për, këtë anëtari i Kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri deklaron se nuk beson që kryeministri Kurti nuk ka qenë në dijeni për këtë.

“Unë nuk besoj që kryeministri Kurti nuk ka qenë i njoftuar për komunikimin e shefes së GP me një terrorist siç është Radojiçiqi, kanë dashur ta fshehin dhe ta mbajnë larg syrit të publikut.  Për fat të mirë kjo është zbuluar dhe qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar që kjo qeveri është koordinuar me një të kërkuar nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe të shpallur si person non-grata në SHBA dhe është përgjegjësi e tyre që ta mbajnë edhe përgjegjësinë politike edhe ligjore por edhe morale para qytetarëve të Kosovës si është e mundur ky koordinim dhe ky komunikim i Kusari-Lilës dhe si është e mundur që nuk jep ende dorëheqje”, ka thënë ai, për Front Online.

Sipas tij, komunikimi një zyrtari të lartë shtetëror me një person që është në listë të zezë është shkelje ligjore.

“Është një shkelje ligjore e madhe komunikimi i një zyrtari të lartë të shtetit me një person siç është Radojiçiq që është në listën e zezë të SHBA-ve dhe i shpallur terrorist nga Qeveria e Kosovës dhe në kërkim po ashtu. Komunikimi me këta persona është vepër penale pa i njoftuar organet e drejtësisë. Pra, ka qenë detyrë e shefes së GP-së të VV-së që në momentin që është ofruar ky komunikim të njoftojë Policinë dhe t’iu thotë që për një person që ju e keni në kërkim kam komunikuar dhe është në këtë vend. Dorëheqja e Kusari-Lilës është morale, politike dhe ligjore dhe mos dorëheqja e saj është një ofendim i madh dhe një shkelje e madhe ligjore”, ka shtuar Tahiri.

 

 

Tahiri: Qytetarët kanë votuar për ndryshim, kanë marrë një qeveri populliste

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri, deklaron për Front Online se qytetarët e Kosovës e kanë votuar Kurtin për të sjellë ndryshime.

Por, se sipas tij, vetëm kjo nuk po ndodhë.

Ai, thotë se këta të fundit kanë marrë një qeveri populliste.

“Qytetarët e Kosovës kanë votuar për një ndryshim, dhe kanë marrë një qeveri populliste e cila vetëm ankohet, për problemet e të kaluarës, por nuk jep asnjë zgjidhje për të ardhmen. Pra, mandati i qeverisë Kurti nuk ka qenë për t’u ankuar, mandati i qeverisë ka qenë për të dhënë zgjidhje për problemet e qytetarëve, dhe dje shohim kryeministrin Kurti që ankohet për drejtësinë, por realisht asnjëherë nuk janë emëruar më shumë gjyqtarë sesa në kohën e qeverisë Kurti”, ka deklaruar Tahiri, për Front Online.

 

Tahiri: Për shkak të integritetit profesional Latifi e Mehaj s’kanë pranuar të jenë në shërbim të kauzës së rreme të Kurtit

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri në këtë intervistë për Front Online ka folur edhe për dorëheqjen e fundit të ish-ministrit të Mbrojtjes Armend Mehaj.

Por, nuk ka lën pa përmendur edhe dorëheqjen e mëhershme të ish-ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifit.

Sipas tij, që të dy për shkak të integritetit profesional nuk kanë pranuar të jenë në shërbim të kauzës së rrem të Kurtit dhe qeverisjes së tij.

“Por, një qeveri nuk mund të sillet me kaq shumë shpërfillje me diasporën që vetëm t’i marrë si dekor por të mos marrë edhe ekspertizën e tyre, pra Qeveria Kurti i ka përdor diasporën si dekor duke i vendosur dy ministra, por ua ka pamundësuar këtyre dy ministrave më dhënë kontribut me ndryshu gjendjen dhe si rezultat i kësaj për shkak të integritetit të tyre personal e profesional këta njerëz nuk kanë pranuar të vazhdojnë të jenë në shërbim të kësaj kauze të rreme të Kurtit dhe të Qeverisjes së tij”, ka thënë ai për Front Online.

Sipas tij, për shkak të ndërhyrjeve politike që të dy janë dorëzuar para kohës dhe nuk kanë arritur të japin potencialin e tyre./Front Online/

 

 

 

 

Komento: