Tahiri thotë se Qeveria duhet t’i shtojë veprimet konkrete për përballimin e krizës ekonomike.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se qeveria është duke shkaktuar konflikte dhe ndasi mes qytetarëve, sipas tij, ky institucion duhet të shtojë unitetin nacional, veprimet urgjente e konkrete për përballimin e krizës.
Duke iu referuar raportit të Bankës Botërore “Mbrojtja Sociale për Rimëkëmbje”, Tahiri u shpreh se trendet negative në investimeve dhe konsum kërkojnë reagim urgjent nga ana e ekzekutivit.
“Ekonomia me trende negative në mungesë të investimeve dhe konsumit, Qeveri, lëri fjalët vepro! Raporti i Bankës Botërore “Mbrojtja Sociale për Rimëkëmbje”, paraqet indikacione tejet negative në ngadalësimin e Bruto Prodhimit Vendor (GDP), në 3.1% në vitin 2022, që do të pasohet me ngadalësimin e investimeve dhe konsumit privat”.
“Në vend të konflikteve dhe ndasive mes qytetarëve, qeveria duhet të shtojë unitetin nacional, veprimet urgjente e konkrete për përballimin e krizës. Ne si përherë, i kemi ofruar alternativa dhe mbështetje në çështjet vitale shtetërore”.
“Ky raport që është negativ për Kosovën, kërkon atë që ka kohë që po theksohet nga AAK, nevojën për mbështetje për të zbutur ndikimin e çmimeve në rritje si energjia dhe ushqimet, në fokus tek ata që cenohen më tepër”, ka shkruar Tahiri në rrjetin social Facebook.