Tahiri thotë se Kosova është forcuar si shtet që kur bëri ushtrinë dhe vendoi taksën

23:31 | 25 Dhjetor 2018

Kosova është në rrugë të duhur për tu forcuar si shtet.

Të paktën kështu shprehet koordinatori nacional për reforma në Qeverinë e Kosovës, Besnik Tahiri thotë se Kosovës realisht po i vjen era shtet.

E këtë, ai thotë se e ka fuqizuar edhe vendimi i fundit për krijimin e ushtrisë dhe taksa e vënë prej 100 për qind ndaj produkteve që hyjnë nga Serbia dhe Bosnja.

‘Ky vendim nuk lidhet vetëm në raport me Serbinë, por është një porosi e qartë se shteti i Kosovës është sovran, vendimet e veta i merr të qarta dhe i merr në bazë të drejtimit të vet strategjik dhe politik’, tha Tahiri në një intervistë në RTK.

Duke folur në fundvit për qeverisjen aktuale, tha se është rikthyer vendimmarrja në shtet. ‘Duke u rikthyer vendimmarraja në shtet, është kthyer besimi i qytetarëve në shtetin e Kosovës’, thotë Tahiri.

E duke folur për qëndrimin e LDK-së karshi këtij procesi tha se pozicioni në fakt nuk është shumë i qartë, porse shihet se është një ftesë për unitet.

‘Thirrjet për unitet janë gjithmonë të mirëserdhura. Nëse lideri i LDK-së dhe LDK mendojnë se kanë pozicion që mund të ndihmojnë Kosovën në këto rrethana, atëherë ata gabojnë shumë nëse nuk kyçen në këtë proces, për shkak se edhe në procesin e negociatave në kohën e Ahtisarit, por edhe në procesin e dialogut, partitë e ndryshme nuk e kanë pasur një çasje të tillë, pra shteti nuk mund të shantazhohet.

Partitë politike mes veti mund të kenë një rol të caktuar politik, mirëpo karshi shtetit duhet të jemi të përgjegjshëm’, tha Tahiri. Ai, thotë se sa më shumë unitet që do të ketë në këtë proces, aq më e fortë do të jetë Kosova karshi Serbisë dhe procesit shumë të rëndësishëm që është përpara.

Tutje, Tahiri ka bërë me dije se kryeministri Haradinaj nesër do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga kryeparlamentari Veseli për të gjithë akterët e përfshirë në dialogun me Serbinë.

‘Kryeministri Haradinaj, ka përgatitur një dokument së bashku me ekipin në kryeministri, 30 faqësh, i cili është një pozicion shumë i qartë, shumë i saktë në raport me pozicionin e shtetit të Kosovës dhe Qeverisë në procesin e dialogut.

Një dokument të tillë ne menjëherë e kemi ndarë me të gjitha partitë politike për hirë të transparenc ës, e kemi ndarë poashtu me të gjithë ambasadorët e KUINT-it dhe me akterët e ndryshëm dhe tash do të ballafaqohemi në Parlament në mënyrë që të japim shpjegimet tona, pasiqë çkado që të ndodh në këtë proces do të jetë në vijë të qartë llogaridhënëse’, thotë Tahiri.

Tutje ai thotë se kryeministri Haradinaj gjatë tërë kohës ka qenë shumë përgjegjës karshi Parlamentit, karshi medieve dhe karshi të gjithëve që kanë qenë të interesuar.

‘Në këtë kuptim, ne po prezantojmë një dokument që mendojmë se është një dokument i mirë, dokument pune, i cili përfshinë temat themelore që janë të hapurame Serbinë dhe në këtë kuptim ballafaqohemi edhe me Kuvendin, në mënyrë që edhe Kuvendi të japë kontributin e vet në kë proces të rëndësishëm’, thotë Tahiri.

Komento: