Tahiri thotë se pushteti aktual po provon të vendosë në kontroll agjendën për kapjen e shtetit

16:54 | 10 Shkurt 2020

Ish-ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka akuzuar kryetaren e Kuvendit të Kosovës se me sjelljet e saja antiligjore dhe militante po e dëmton imazhin e demokracisë parlamentare dhe traditës shtet-formuese, dhe se po mban peng funksionimin e mirëfilltë të grupeve parlamentare dhe po e cenon qëllimshëm punën e opozitës në Kuvend.

“Kjo sjellje është e papranueshme. Për shkak të sjelljes së saj antiligjore e irracionale dhe të qëllimshme e të akorduar me Albin Kurtin, opozitës po i kufizohet ushtrimi i rolit të saj. Kjo u pa sot, kur në mungesë të PDK-së, partitë në pushtet kanë përzgjedhur Komisionet Parlamentare në një format jashtëzakonisht të dëmshëm për transparencën, llogaridhënien, qeverisjen e mirë dhe zhvillimin demokratik të sferës institucionale”, shkruan Tahiri në Facebook.

“Fakti se VV-ja dhe LDK-ja që drejtojnë qeverinë, kanë marrë përsipër kryesimin e komisioneve kryesore parlamentare siç është ai për Legjislacion; Buxhet dhe Financa; Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së; Bujqësi e Zhvillim Rural, si dhe atë për Arsim, Shkencë e Teknologji, është treguesi më i qartë se pushteti aktual po provon të vë në kontroll agjendën për kapjen e shtetit duke eliminuar kështu linjat e llogaridhënies”, ka shtuar ai.

Kjo ndarje e komisioneve, sipas tij, është goditje ndaj vlerave të një demokracie parlamentare, ku opozitës po i pamundësohet mbikëqyrja e aspekteve vitale të qeverisjes.

“Megjithëse me këto veprime, tendencat për “uzurpimin” e agjendës politike dhe shmangien e llogaridhënies përballë qytetarëve janë mjaft të qarta, ne si deputetë të PDK do të angazhohemi me çdo kusht dhe në mënyrë të pa kompromis që ky pushtet të mos arrijë të cenojë vlerat e demokracisë parlamentare dhe të mos arrijë t’i shmanget llogaridhënies. Rruga e ty re për bllokimin tonë në Kuvend, është rrugë qorre dhe do t’i shpie në qorrsokak”, përfundon ish-ministri Tahiri.

Komento: