Duket se moti në vendin tonë do të ndryshojë në ditët në vazhdim.
Është paralajmëruar se në fillim të stinës së pranverës mund të ketë borë në Kosovë.
Dimri ka përfunduar pa reshje të mëdha bore, ndërsa pranvera e hershme nga ekspertët e meteorologjisë shihet shpesh si e rrezikshme.
Lidhur me raportimet e ndryshme se mund të kemi borë këtë fillim të stinës së pranverës, lajmi.net ka kontaktuar ekspertin dhe profesorin e meteorologjisë në Universitetin e Prishtinës, Sylë Tahirsylaj.
Ai ka mohuar se mund të kemi reshje bore, duke thënë se nga mesi i prillit, vijnë ngricat pranverore të cilat përcillen edhe me zbritje eventuale të temperaturave por që nuk zgjasin shumë.
“Me datën 15 vijnë ngricat pranverore, nuk zbresin temperaturat, ka reshje shiu, në bjeshkë mund të ketë edhe reshje bore, mund të ketë pak zbritje të temperaturave por nuk zgjasin, 2 ditë ose 3 dhe tejkalohen”, tha Tahirsylaj.
Mirëpo, profesori Tahirsylaj për lajmi.net tha se duhet kujdes i veçantë nga bujqit sa i përket dëmeve që mund të shkaktojnë këto ngrica.
“Mund të na shkaktoj dëmtimin e pemëtarisë sidomos në fazën e lulimit të tyre, i dëmton. Shembull arra -2 dëmtohet, molla shkon deri në minus 3 ose 4, por është problem që ka ndodhur në çdo pranverë të hershme”, tha Tahirsylaj.
Ai gjithashtu, ka treguar se ekzistojnë masat preventive që mund t’i marrin bujqit për të evituar dëmtimin e të mbjellurave.
“Por janë masat mbrojtëse, siç është antifrizi që përdoret për spërkatje që është bashkëkohore me garancion deri në 14 ditë. Spërkatja është mjaft efikase sepse krijohet kurorë akulli në lulë, por nuk dëmtohet, zakonisht temperatura më e ultë matet në ora 5 të mëngjesit, pra duhet të kryhen këto përgatitje. Nëse nuk përdoren masat kundër ngricave ato mund të jenë katastrofike, sepse këto ngrica pranverore janë të përvitshme”, tha Tahirsylaj.
Ndërsa sa i përket borës, Tahirsylaj është shprehur se mund të kemi borë, por vetëm në vendet kodrinore.
“Ajo që parashihet, mund të ketë në vendet kodrinore, shembull në vitin 1973 ka ra një sasi e madhe bore në rrafshin e Dukagjinit, por edhe në rrafshin e Kosovës deri në 20 centimetra”, tha Tahirsylaj.
Vlen të theksohet fakti se në Kosovë viteve të fundit ka ndodhur shumë shpesh që të kemi borë të vonshme në muajin prill me ç’rast janë shkaktuar edhe dëme në pemëtari.