
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar një darkë pune me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Enrico Barduani me të cilin ka diskutuar mbi zhvillimet më të fundit në fushën e sigurisë në vend.
Takimi u zhvillua në kuadër të kontakteve të rregullta ndërinstitucionale, por edhe në prag të përfundimit të mandatit të gjeneralmajor Barduani në krye të KFOR-it.
Osmani shprehu mirënjohje për angazhimin e tij dhe të trupave të KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, duke vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë të KFOR-it me institucionet vendore të sigurisë si një faktor kyç për stabilitetin rajonal.
“Bashkëpunimi i ngushtë mes institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe KFOR-it mbetet thelbësor për garantimin e sigurisë së qytetarëve tanë dhe për ruajtjen e paqes në vend”, theksoi Osmani gjatë takimit.
Ajo ritheksoi rëndësinë e vazhdimit të këtij bashkëpunimi strategjik, duke përshëndetur rolin e NATO-s përmes KFOR-it si garantues të sigurisë dhe paqes afatgjatë në Kosovë.