Ekspertët amerikan dhe evropianë kanë analizuar takimin e Berlinit si dhe situatën mes Kosovës dhe Serbisë.
Në konferencën “Ballkani Perëndimor: Menaxhimi i Sfidave Përpara”, ekspertë amerikanë dhe evropianë kanë analizuar takimin e Berlinit dhe situatën Kosovë – Serbi.
Në konferencën “Ballkani Perëndimor: Menaxhimi i Sfidave Përpara”, të organizuar nga grupi i Këshillit të Politikave të Ballkanit në Evropë, nga Shkolla e Studimeve Ndërkombëtare të Avancuara të Johns Hopkins dhe Fondi Evropian për Ballkanin u diskutua për rolin e fuqisë transformuese të BE-së për vitet e ardhshme.
Temë kryesore e diskutimit ishte roli i fuqisë transformuese të BE-së në rajon në vitet e ardhshme dhe si do të merret Ballkani Perëndimor me sfidat e sigurisë dhe konfliktet e kaluara.
Kishte 3 probleme paqësore në Ballkan dhe sot pas zgjidhjes së emrit të Maqedonisë mbeten vetëm dy: Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe rregullimi i qeverisjes jofunksionale të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Kështu deklaroi analisti, Daniel Serëer duke shtuar se mendon që momenti i duhur për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe Serbisë është tani.
“Dhe sapo të zgjidhet (i referohet problemit të Kosovës dhe Serbisë), problemi në Bosnje dhe Hercegovinë do të jetë shumë më e zgjidhshme dhe më ndryshe se tani”, tha Serëer.
Duke komentuar mbi Samitin e Berlinit, Daniel Serëer tha se kuptoi nga ky takim që presidenti Macron është bashkuar në kundërshtimin e ndryshimit të kufijve.
“Ajo çka unë kuptova është se Presidenti Macron i është bashkuar kundërshtimit për çdo ndryshim të kufijve, që për mua është gjëja e duhur për t’u bërë. Shpresoj që kjo do t’i hapë rrugën një diskutimi më serioz për normalizimin e marrëdhënieve”, thotë drejtori i Programit për Menazhimin e Konflikteve në Qendrën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins, Daniel Serëer.
Analisti Ed Josef gjithashtu u përqendrua tek mesazhi i fortë që përcolli Gjermania kundër ndryshimit të kufijve në rajon dhe tek mundësitë për arritjen e një marrëveshje nën këtë qasje.
“Një marrëveshje është gjithnjë e mundur. Ajo që duhet të dimë tani është se nuk jemi më në “epokën e Mogherinit”. Pra, këtij koncepti që kishte një shtysë të madhe nën Federica Mogherinin dhe u mbështet sigurisht nga John Bolton, këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara, shohim se i ka ardhur fundi”, thotë eksperti i Institutit për Politika Ndërkombëtare.
Gjatë takimit të Berlinit Presidenti Thaçi tha se “bisedimet duhet të jenë të pakushtëzuara” duke theksuar se nuk mund të ketë zgjidhje pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por për zotin Serëer një përfshirje direkte në bisedime e Uashingtonit do të sillte në tavolinë edhe Moskën.
“Shtetet e Bashkuara kanë qenë të përfshira, në mënyrë jo direkte. Por problemi me të paturin e SHBA-së në takime, krijon mundësinë që Moska të jetë aty gjithashtu. Nuk mendoj se ndokush në Bashkimin Evropian, Kosova me siguri, madje as vete Serbia, do ta donte praninë e Rusisë”.
Nga ata tjetër, koordinatori i BiEPAG, Florian Bieber mendon se problemi kryesor i Ballkanit janë qeveritë autoritare të cilat nuk janë plotësisht të angazhuara drejt vlerave liberale demokratike të SHBA-ve dhe BE-së.
“Kjo krijon zhgënjim në mesin e qytetarëve, jo për shkak se ata janë kundër BE-së, por pasi e shohin Perëndimin si dikë që e toleron autokracinë. Këto janë vendet që duhet të jenë pjesë e të njëjtit klub të BE-së. Duke thënë se këto vende nuk janë në luftë dhe kjo është e mjaftueshme, nuk është e mirë për të ardhmen e rajonit “, tha Bieber.
Për t’i bërë jehonë argumentit të tij Bieber morri si shembull dialogun Prishtinë Beograd.
“Ka një mirëkuptim të palëve për qëndrimet e kundërta, apo mospëlqimet. Jo vetëm udhëheqësit e këtyre vendeve e kanë shprehur hapur se sa shumë e urrejnë njëri-tjetrin, por gjithashtu kthehen në shtëpi dhe vjellin vrer ndaj njëri-tjetrit. Nëse lexon shtypin pro regjimit në Serbi, ata kanë njoftuar të paktën 100 luftëra vitin e kaluar. Kanë thënë çdo ditë se vendit i kanoset një luftë. Dhe bëhet fjalë për median besnike ndaj presidentit Vuçiq. Nuk mund të kesh një qeveri që në një anë pohon se është pro perëndimit dhe nga ana tjetër mbështet shtypin që angazhohet në fjalime urrejtjeje, të llojit më të keq”.
Duke komentuar për takimin e Berlinit, ai thotë se problemi është se Komisioni Evropian ka humbur autoritetin për dialogun midis Serbisë dhe Kosovës.
Ai nuk ka plan për zgjidhje, por është i sigurt se duhet të ketë masa për ndërtimin e besimit midis vendeve, në mënyrë që të mund të kenë marrëdhënie normale.