
Analistët politikë në Kosovë vlerësojnë se takimi i djeshëm në Bruksel mes Kosovës e Serbisë ishte një mundësi e humbur për të arritur marrëveshje. Sipas tyre, kryeministri Kurti kërkoi të zbatohet marrëveshja e Ohrit. Ata besojnë se tani është radha e amerikanëve.
Analistët politikë konsiderojnë se të dy vendet po humbin mundësitë për zhbllokim të procesit të dialogut dhe ecjes para në rrugën drejt BE-së.
“Takimi i djeshëm ishte një shans i humbur edhe për Kosovën edhe për Serbinë, sepse ishte një mundësi e mirë për ta zhbllokuar dialogun dhe për të avancuar drejt arritjes së qëllimeve edhe të dy vendeve, por edhe të agjendave gjeostrategjike dhe gjeopolitike, por për fat të keq kjo nuk ndodhi dhe tash natyrisht është një dëm i madh që iu bë procesit dhe duhet energji shumë të mëdha për t’u regjeneruar në pikën e normalitetit”, tha për RTK-në Artan Muhaxhiri, njohës i çështjeve politike në vend.
Ndërkaq, analistët serbë të Kosovës, thonë se nuk ka risi në qëndrimet e kryeministrit Kurti, për vetë faktin se ai e ka nënshkruar marrëveshjen në Ohër.
“Dje ka insistuar, në rregull, shkojmë në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit , por 39 pikat menjëherë, pa dallim. Që do të thotë asgjë e çuditshme, asgjë e re nga kryeministria ynë, asgjë alarmante. Tash kemi një situatë, ku do të presim zyrtarët e lartë të Administratës amerikane me të cilët, si duket, do të kemi vendimet e ardhshme se si do të vazhdojë dialogu, në çfarë dinamike dhe a janë ato kriteret edhe për negociata të reja. Kjo më duket ishte taktika e Kurtit”, tha Branislav Krstiç, analist politik.
Sa i përket qasjes së ndërmjetësueseve të dialogut në takimin e djeshëm, analistët kanë mendime të ndryshme.