
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi ka reaguar lidhur me takimin e djeshëm në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Ajo, ka shkruar se takimi i djeshëm është edhe një dështim tjetër.
Sipas saj, veprimi i vetëm i mirë që Kurti mund ta bëj në këtë fazë është ofrimi i dorëheqjes.
Postimi i saj i plotë:
Edhe një takim, edhe një dështim!
Kryeministri Kurti, në vazhdën e dështimeve në politikën e jashtme krahas dështimeve të njëpasnjëshme në politikën e brendshme, tregoi se është partner jo-serioz për këdo.
Ky person, i cili dikur na mbante ligjerata se si për dialog ne duhet t’i kemi sytë kah Brukseli e jo nga Uashingtoni, tash s’po arrin të dakordësohet as me BE-në. Problemi nuk është as Brukseli e as Uashingtoni. Problemi, pra, është Kurti, i cili po e dëshmon çdo ditë që as nuk ka – e as nuk ka pasur ndonjëherë – haber për asgjë.
Veprimi i vetëm i mirë që Kurti mund ta bëj në këtë fazë është ofrimi i dorëheqjes. Çdo gjë tjetër, është zgjatje e agonisë për Republikën tonë, e cila sot është shndërruar në objekt talljeje nga lindja në perëndim.