Takimi i dy Qeverive/ Kurtit i kërkohet t’ia paraqes Mickoskit shqetësimet për gjuhën shqipe dhe trajtimin e shqiptarëve në RMV

08:08 | 18 November 2024
takimi-i-dy-qeverive/-kurtit-i-kerkohet-t’ia-paraqes-mickoskit-shqetesimet-per-gjuhen-shqipe-dhe-trajtimin-e-shqiptareve-ne-rmv

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, të hënën e 18 nëntorit, pritet të jetë nikoqire e një takimi të përbashkët mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe asaj të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Takimi mes dy qeverive të Ballkanit Perëndimor, do të filloj në orën 10:40.

Njoftimin për këtë takim e ka dhënë edhe vetë Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ky takim është i pari kur Qeveria e Maqedonisë së Veriut udhëhiqet nga subjekti politik VMRO-DPMNE, në një koalicion me disa subjekte politike shqiptare atje, të dalë nga zgjedhjet që u mbajtën këtë vit.

Herën e fundit, mbledhja në mes të dy qeverive ishte mbajtur më 16 shtator 2021, ku në Maqedoni të Veriut kryeministër ishte Zoran Zaev.

Analistët politikë në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut e shohin nga prizma të ndryshëm.

 

Ish-ambasadori në RMV: Takim i zakonshëm i Qeverisë “Kurti” me Qeverinë e RMV-së, kthim i borxhit nga Maqedonia për fushatën e tij

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, për FrontOnline, takimin e të hënës mes dy qeverive e sheh si takim të zakonshëm, por që sipas tij kryeministri Albin Kurti, me këtë takim po tenton ta minimizoj debaklin qeverisës.

‘’Takimet ndërqeveritare mes Qeverisë së Republikës së Kosovës në ikje dhe asaj të Republikës së Maqedonisë së Veriut, janë takime të rregullta dhe asgjë të jashtëzakonshme. Qeveria në ikje Kurti duke parë se ka dështuar dhe ka pësuar debakël në të gjitha fushat, tani pas shpalljes së datës së zgjedhjeve, me 9 shkurt 2025, po tenton ta minimizoj debaklin qeverisës, qoftë me takimet e dëshpëruara me mërgatën apo edhe me Qeverinë e RMV’’,thotë Dedaj.

Dedaj këtë takim madje e quan edhe si kthim të borxhi, pasi që, sipas tij, kryeministri Kurti ishte përzier në zgjedhjet qendrore në RMV.

‘’ Ky është një takim më shumë elektoral dhe kthim i borxhit ndaj Kurtit, i cili në mënyrë flagrante ishte përzier në zgjedhjet e fundit të këtij vendi fqinj, duke e dëmtuar procesin zgjedhor në RMV’’ shprehet ai.

Ish-ambasadori Dedaj, ka folur edhe për atë se çka duhet diskutohet në takimin e së hënës ndërmjet dy qeverive në Prishtinë.

‘’ Në këtë takim ndërqeveritar do duhej të bisedohej për thellimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes dy vendeve tona, të flitet për mos ndryshimin e kursit të RMV ndaj shtetit të Kosovës dhe politikave të Serbisë ndaj RKS dhe RMV, pastaj për respektimin në plotëni të Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001, për të drejtat kushtetuese të shqiptarëve në RMV, duke përfshirë gjuhen shqipe si gjuhe zyrtare dhe barazinë ndëretnike në RMV. Personalisht nuk pres asgje konkrete nga ky takim’’, potencoi Deda.

 

Analisti politik në RMV për takimin e dy Qeverive: E rëndësishme simbolika e takimit, presim afate konkrete për projektet e mëdha

Analisti politik në Maqedoninë e Veriut, Isen Saliu, për FrontOnline ka folur për takimin mes dy qeverive, asaj të Kosovës dhe të Republikës së Maqedonisë Veriore, që do të mbahet me 17 nëntor në Prishtinë. Për të simbolika e takimit paraqet rëndësi, duke theksuar se është mbledhja e parë e dy qeverive.

‘’Sa i përket kësaj mbledhje fillimisht mund të themi se është e rëndësishme simbolika e tij, pasi është mbledhja e parë e përbashkët e qeverive të dy vendeve, e mbi të gjitha mbledhja e parë e përbashkët e qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut me një qeveri të vendit fqinj. Nëse kësaj i shtojmë vizitën e kryeministrit kosovar Albin Kurti në Maqedoni, që ishte kryeministri i parë që u prit nga qeveria e re në Shkup, mendoj se kjo flet mjaftueshëm sa i përket raporteve formale dhe simbolike mes dy vendeve’’, thotë ai.

Ai thotë se në këtë takim do të diskutohen edhe tema të rëndësishme në interes të të dyja vendeve, duke thënë se kanë vëmendje të veçantë për këtë mbledhje, duke thënë se presin që të caktohen edhe afatet konkrete lidhur me projektet e rëndësishme për të dyja vendet.

‘’Mirëpo më të rëndësishme se raportet formale mes dy vendeve, janë raportet reale dhe esenciale. Sipas paralajmërimeve edhe në këtë aspekt mbledhja e përbashkët e dy qeverive do të trajton tema të rëndësishme në interes të qytetarëve të dy vendeve siç janë tema nga sfera e ekonomisë dhe ajo për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve. Opinioni shqiptar në Maqedoni dhe jo vetëm, me vëmendje të veçantë e pret këtë mbledhje, me shpresë se tashmë do të caktohen edhe afate më konkrete lidhur me projektet e rëndësishme për dy vendet, siç është ndërtimi i rrugës Tetovë-Prizren, kurse vendosja e kontakteve më të drejtpërdrejta mes dy qeverive dhe ministrave të saj, mund të ketë impakt pozitiv edhe në përshpejtimin e ndërtimit sa më të shpejtë të rrugës Shkup-Bllacë’’ thotë ai.

Analisti Iseni, potencon se Kosova dhe RMV, mund të bashkëpunojnë ngushtë edhe në procesin euroatlantik.

‘’Maqedonia dhe Kosova mund dhe duhet të bashkëpunojnë më ngushtë edhe në procesin e integrimit euroatlantik, kur e dimë se Maqedonia tashmë është vend anëtar i NATO-s dhe vend që konsiderohet se gati i ka plotësuar kriteret e Kopenhagës për fillim të negociatave me BE-në. Në këtë drejtim Maqedonia mund të ndihmon mjaft Kosovën, me përvojën e saj në plotësimin e kushteve të nevojshme’’, tha Iseni për FrontOnline.

 

Arifi: Kurti duhet t’i paraqes shqetësimet për gjuhën shqipe dhe trajtimin e shqiptarëve në RMV

Analisti politik, Dritëro Arifi, për FrontOnline, thotë se takimi i së hënës mes dy qeverive asaj të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut në Prishtinë, ngritë nivelet diplomatike dhe bilaterale mes këtyre dy vendeve.

‘’Ngritë nivelet diplomatike dhe bilaterale mes Kosovës dhe Maqedonisë Veriore. Kryeministri vjen nga një parti e cila nuk është shumë pro shqiptarëve deri diku por ata e mbajnë njëfarë linje të perëndimit që Kosovë është shtet i pavarur e duhet të anëtarësohet në NATO nga ky aspekt e shoh si takim pozitive’’ thotë ai.

Arifi, potencon, se se nga ky takim pret lehtësim të bashkëveprimit mes dy vendeve në disa fusha.

‘’E dyta ndonjë marrëveshje mundët të ndodh që e lehtësojnë bashkëveprimin, ekonominë dhe gjumë gjëra të tjera se duke i thelluar bashkëpunimet me Republikën e Maqedonisë Veriore i themelojmë drejtpërdrejtë edhe me shqiptarët atje’’shprehet ai.

Analisti Arifi, deklaron se Qeveria e kosovës duhet të i ngritë shqetësimet sa i përket gjuhës shqipe dhe trajtimit të shqiptarëve atje.

‘’Qeveria e Kosovës duhet t’i ngritë shqetësimet e veta sa i përket gjuhës shqipe trajtimet të shqiptarëve në administratë publike, ndryshimet Kushtetuese’’ thotë ai.

 

Gazetarja Zylbeari për takimin e dy qeverive: Manovrim për ta shfaqur Mickovskin si mik të shqiptarëve

Gazetarja shqiptare në Maqedoninë e Veriut, njëherit kryeredaktore e PortAlb në RMV, Elida Zylbeari, për FrontOnline, thotë se ka paralajmërimin për nënshkrimin e disa memorandumeve mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të RMV-së të hënën në Prishtinë.

‘’Në mbledhjen ndërqeveritare, sipas paralajmërimeve të Qeverisë së RMV-së, pritet të nënshkruhen disa memorandume por, nuk kam hasur në agjendë publike. Sidoqoftë, çështja kyçe është se sa këta memorandume të gjejnë realizim praktik, dhe nuk do të mbeten vetëm në letër. Këtë e themi nga përvoja e deritanishme, ku kemi parë realizim të dobët apo aspak të marrëveshjeve të kësaj natyre mes RMV-së dhe Kosovës sepse kjo nuk është hera e parë që ka mbledhje të tilla’’ thotë ajo.

Gazetarja Zylbeari, e konsideron të rëndësishme edhe pozicionimin e kryeministrit Kurti karshi kryeministrit Mickovski të RMV-së.

‘’Gjithashtu, me rëndësi është se si kryeministri kosovar Kurti do të pozicionohet ndaj kryeministrit të RMV-së i cili fitoi zgjedhjet më fushatë nacionaliste dhe albanofobe, se në çfarë mënyre dhe si ai do t’i adresojë shqetësimet e shqiptarëve në lidhje me përdorimin e gjuhës shqipe si dhe përfaqësimin e tyre nëpër institucione dhe jo vetëm, por edhe në proceset e rëndësishme politike sidomos që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Maqedonisë në BE’’ thotë ajo.

Ajo potencon, se ka gjasa që të ketë edhe manovrime që kryeministri i RMV-së të shfaqet si mik I shqiptarëve.

‘’Sjellja e Kurtit merr një peshë të veçantë duke e pasur parasysh faktin që partia e tij ka përfaqësues në koalicionin qeveritar VMRO-VLEN. Madje, ka gjasa që ky të jetë një manovrim i tyre për ta shfaqur Mickovskin si mik të shqiptarëve që njëkohësisht dhe atë rritet relevanca e koalicionit VLEN para votuesve shqiptarë’’ tha Zylbeari për FrontOnline.

 

Analisti në RMV: Dy Qeveritë kanë projekte të përbashkëta

Analisti politik në Maqedoninë e Veriut, Besim Nebiu, për FrontOnline, ka folur për takimin mes dy qeverive të hënën në Prishtinë.

‘’Në qeverinë e Maqedonisë dihet se pjesa shqiptare është situatë e re duhet të njohën me njëri -tjetrin me projekte e agjende qeveria në Maqedoni është në fillime ndërsa në Kosovë po hynë në zgjedhje, kanë disa projekte të përbashkëta njëra për kufirin dhe projektet e infrastrukturës që është rruga Tetovë-Prizren dhe çështjet e tjera që kanë të bëjnë me procesin e Berlinit etj’’ thotë ai.

Nebiu, thotë se ishte akuzë e BDI-së se VMRO-DPMNE është qeveri anti-shqiptare dhe nuk dëshiron bashkëpunim me shqiptarët.

 ‘’VMR është parti e djathtë dhe mbanë retorikë dhe veprime polarizuese në kuptim etnik është njëfarë lloj akuze e BDI që është eksponentë në qeveri në 20 vitet e fundit dhe kjo qeveri është antishqiptare dhe nuk dëshiron bashkëpunim është një përgënjeshtrim të akuzave’’ tha ai.

Komento: