Zyra e Presidentit të Kosovës përmes një deklarate ka sqaruar për opinionin publik se nuk ka qenë e informuar për takimin e fshehtë që pati një ekip i kryeministrit në Berlin.
Në këtë deklaratë është cekur se Institucionet e Republikës së Kosovës e kanë për obligim kushtetues dhe ligjor që të jenë transparente para qytetarëve të Kosovës në procesin e ndjeshëm dhe të rëndësishëm të dialogut Kosovë-Serbi.
“Zyra e Presidentit nuk ka qenë e informuar për pjesëmarrjen e një ekipi të kryeministrit në takimin e fshehtë në Berlin dhe po ashtu nuk kemi marrë ende asnjë informacion zyrtar se çfarë është biseduar në këtë takim. Takime të tilla të paparalajmëruara, të fshehta dhe të pakoordinuara, nuk ndihmojnë në procesin e dialogut Kosovë – Serbi, aq më parë kur tashmë kemi Ekipin Negociator, i cili ka për detyrë negocimin e çfarëdo teme me Serbinë. Institucionet e Republikës së Kosovës e kanë për obligim kushtetues dhe ligjor që të jenë transparente para qytetarëve të Kosovës për një proces kaq të ndjeshëm dhe të rëndësishëm siç është dialogu Kosovë-Serbi”, thuhet në deklaratën e Zyrës së Presidentit.
Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë në konferencë për medie se i ka lajmëruar partnerët e koalicionit për këtë takim.
Megjithatë Zyra e Presidentit e Ministria e Punëve të Jashtme janë deklaruar se nuk kanë ditur asgjë për këtë takim.