Takimi i Kurtit me Admiralin amerikan, ZKM del me komunikatë: Diskutuan rreth zhvillimeve në vend dhe rajon

22:39 | 27 Gusht 2024
takimi-i-kurtit-me-admiralin-amerikan,-zkm-del-me-komunikate:-diskutuan-rreth-zhvillimeve-ne-vend-dhe-rajon

Zyra e Kryeministrit ka dalë me komunikatë për takimin që zhvilloi sot Kryeministri Albin Kurti me Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Admiralin Stuart Munsch.

Kurti e Munsch kanë diskutuar rreth zhvillimeve në vend e rajon dhe rreth situatës së sigurisë në përgjithësi, shkruan Reporteri.net.

“Duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve tona të sigurisë e mbrojtjes me misionin e KFOR-it në Kosovë, Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë e vullnetin për bashkëpunim e komunikim të vazhdueshëm, në sajë të punës së përbashkët e në shërbim të paqes dhe sigurisë paralelisht me sundimin e ligjit dhe rendit”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim, Kurti ka theksuar synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO, duke përmendur se  shuma e përgjithshme e buxhetit të alokuar për mbrojtje në 2023-tën tejkalon nivelin prej 200 milionë euro, apo mbi 2% të Bruto Produktit Vendor, kriter ky për shtetet anëtare të NATO-s.

Në këtë takim ka marrë pjesë edhe Komandanti i KFOR’it, Ozkan Ulutas.

Për takimin njoftoi fillimisht Komanda e Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli.

“Diskutimet e sotme u përqendruan në aktivitetet e KFOR-it në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe për mbështetjen e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit që ndërmjetësohet nga BE-ja”, u tha në njoftim.

Takim me Munsch ishte paraparë të zhvillonte edhe Presidentja Vjosa Osmani, mirëpo ky takim s’është realizar meqë presidentja është e prekur me grip sezonal.

“Takimi në mes të Presidentes Osmani dhe Admiralit Munsch ka qenë i konfirmuar për sot në orën 15:00, por nuk do të mund të realizohet sot për shkak se Presidentja e kishte të pamundur të dalë në zyrë shkaku i një virusi sezonal”, ka deklaruar Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes.

Më herët gjatë ditës, Munsch është takuar edhe me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, gjeneralmajorin Ozkan Ulutas.

Vizita e tij vjen në kohën kur ndërkombëtarët kanë dalë kundër planit të Qeverisë së Kosovës për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve.

Komento: