Me 1 korrik pritet të mbahet Samiti i Parsit.
Kosova nuk do të merret me dilemat nëse takimi i Parisit, i paralajmëruar për 1 korrik, do të mbahet ose jo, por do të përqendrohet në përgatitjen e parimeve me të cilat do të paraqitet atje karshi palës së Serbisë, theksojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës
Takimi i Parisit ishte paralajmëruar në takimin e Berlinit, i cili u mbajt më 29 prill, mikpritës të së cilit ishin kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, thotë për Radion Evropa e Lirë, se që në Samitin e Berlinit, palës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, u është bërë ftesa që më 1 korrik të takohen në Paris, nikoqirë të së cilit do të jenë sërish presidenti Macron dhe kancelaria Merkel. Siç thotë ai, vizita e delegacionit të diplomatëve francezë dhe gjermanë, rreth tri javë më parë, në Prishtinë dhe Beograd, ka qenë në funksion të përgatitjes sa më të mirë të takimit të Parisit. Sipas tij, dilemat e ngritura, kryesisht nga autoritete e Serbisë, se a do të mbahet ose jo takimi i Parisit, nuk kanë të bëjnë me palën e Kosovës.
“Kjo varet shumë edhe prej organizatorëve. Por, kemi të bëjmë me temën se sa Kosova është vërtetë e përgatitur për takimin e Parisit, sa kemi parime dhe sa kemi pritje të matshme të hartuara në një dokument strategjik, për atë se çfarë presim prej takimit të Parisit, cila mund të jetë lista e tema dhe ato t’i shtrojmë në takimin e Parisit, si dhe cila mund të jetë mënyra më e mirë që ne ta mbrojmë interesin shtetëror të Kosovës, për atë se çfarë kemi bërë deri tash në dialog dhe për atë se çfarë presim të arrijmë në dialog. Por, unë e kam përshtypjen që ka koordinim të mirëfilltë amerikano-evropian dhe mund të ketë dinamikë të re”, theksoi Hoxhaj.
Në anën tjetër, ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ngritur dilemat nëse takimi i Parisit do të mbahet fare, duke përmendur sërish si pengesë për vazhdimin e dialogut taksën prej 100 për qind për importin e mallrave të Serbisë nga Kosova.
“Në qoftë se do të ketë takim në Paris, do të jemi në situatë të rëndë. Por, nëse nuk do të ketë takim në Paris, do të jetë edhe më rëndë ose të shprehem me gjuhën e popullit, do të jemi në një baltë shumë më të madhe, ne dhe i gjithë rajoni”, ka thënë Vuçiq.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri Hoxhaj thekson se pavarësisht se çfarë deklarojnë zyrtarët e lartë të Serbisë, Kosova nuk e ka refuzuar asnjëherë dialogun.
“Ne e shohim dialogun si një instrument, i cili i shërben normalizimit të raporteve ndërmjet të dy vendeve dhe mbi të gjitha, si një mundësi për ta përmbyllur shtet-ndërtimin e Kosovës dhe është në interes të Kosovës”, theksoi Hoxhaj.
Por, njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, vlerësojnë se takimi i Parisit nuk ka logjikë të mbahet, në rast se vlerësohet se nuk ka ndryshuar asgjë që nga Samiti i Berlinit.
Analisti i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se nuk ka pasur ndonjë ndryshim në procesin aktual ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, sipas tij, në rast se mbahet takimi i Parisit, ai do të jetë një shans për të dyja vendet, Kosovën dhe Serbinë.
“Po që se takimi i Parisit mbahet, atëherë ai do të mund të shërbente vetëm si një impuls për të dyja palët, që përnjëmend ta marrin seriozisht çështjen e dialogut dhe të mos largohen nga dialogu. Por, gjithnjë duke pasur parasysh vendosjen e një kornize për dialogim dhe të dihet në fakt se çfarë do të jetë finalja apo rezultati i përfundimit të dialogut”, theksoi Mushkolaj.
Mushkolaj ka shtuar se në rast, eventualisht, takimi i Parisit dështon të mbahet më 1 korrik, atëherë, sipas tij, ekzistojnë gjasat që ai të shtyhet deri në muajin shtator ose tetor, për shkak se deri atëherë, do të mund të jenë zgjedhur shumica e pozitave kyçe në Bashkimin Evropian, pas zgjedhjeve të mbajtura në muajin maj.