Takimi është nxehur kur këshilltarët kanë rrëzuar idetë për mundësitë e përmbysjes së rezultatit të zgjedhjeve, të cilat edhe zyrtarisht i ka fituar demokrati Joe Biden.
Presidenti Donald Trump ka mbajtur një takim në Shtëpinë e Bardhë të premten, në të cilin ka pasur përplasje të shumta. Në këtë takim ishte i përfshirë avokatja Sidney Powell dhe klienti i tij, ish-këshilltari i sigurisë kombëtare, Michael Flynn.
Sipas mediave amerikane, takimi është nxehur kur këshilltarët kanë rrëzuar idetë për mundësitë e përmbysjes së rezultatit të zgjedhjeve, të cilat edhe zyrtarisht i ka fituar demokrati Joe Biden.
Flynn gjatë javës kishte tërhequr vërejtjen se Trumpi mund të lejojë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme si pjesë të tentimeve të tij për ta përmbysur rezultatin e zgjedhjeve. Kjo ide është përmendur edhe gjatë këtij takimi të nxehtë, por nuk dihet nëse presidenti e ka përkrahur, ani pse zyrtarët e tjerë e kanë mohuar si mundësi.
Takimi u raportua së pari nga gazeta “New York Times”.
Këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë, të cilët morën pjesë në takim, përfshirë shefin e kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows, dhe avokaten Pat Cipollone, gjithashtu kishte shtyrë përpara sugjerimin për ta emëruar Powellin si prokurore speciale për t’i hetuar dyshimet për mashtrime zgjedhore, të cilat i kishte hedhur poshtë edhe vetë administrata e Trumpit. Powell është përqendruar në teoritë konspirative në makinat e votimit dhe kishte lënë të kuptohej se mund të kishte emërim të një prokurori special për hetimin e mundësive të lëshimeve në procesin e makinerisë së sistemit zgjedhor amerikan.
Një tjetër ide, që ishte hedhur në takim ishte ajo e nxjerrjes së një urdhri ekzekutiv me të cilin Qeverisë do t’i lejohej qasja në makinat e votimit për t’i inspektuar.
Një person e ka përshkruar takimin si “të shëmtuar”, derisa Powell dhe Flynn kanë akuzuar të tjerët se e kanë lënë në gjysmë përpjekjen e presidentit për ta përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.
“Ishte takim i nxehtë – njerëzit përnjëmend po haheshin në Zyrën Ovale, njëmend po i jepnin me forcë kësaj pune”, ka thënë njëri prej burimeve që ka folur në kushte anonimiteti për televizionin CNN.
Menjëherë pas takimit, stafi i fushatës së Trumpit mori një memoar nga ekipi legal i fushatës të shtunën me instruksione për t’i ruajtur të gjitha dokumentet të lidhura me sistemet e votimit. Raportohet se ka një ndarje serioze brenda ekipit të fushatës së Trumpit pas zgjedhjeve me tensione të përshkuara ndërmjet avokatit të përgjithshëm të fushatës, Matt Morgan, i cili e dërgoi memoarin të shtunën, dhe avokatit të Trumpit, Rudy Galiani. Megjithëse fushata u distancua më parë nga Powelli, Trumpi u ka bërë thirrje sikurse ajo, të gjithë mbështetësve që të vazhdojnë betejën për kontestimin e rezultatit zyrtar të zgjedhjeve të 3 nëntorit.