Ambasadori gjerman tregon se ç’pritet nga takimi në Berin.
Ideja e tubimit të liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor më 29 prill në Berlin është të përgatisë terrenin për dialogun ndërmjet Kosovës Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, ka thënë ambasadori gjerman në Beograd Thomas Schieb.
“Ne shpresojmë se taksa do të hiqet shpejt dhe kështu do të krijohen kushtet për vazhdimin e dialogut. Është fakt se marrëdhëniet nuk janë të mira dhe se dialogu është ndalur, se nuk ka komunikim. Kjo duhet tejkaluar. Taksa duhet të hiqet dhe kështu të sigurohet vazhdimi i dialogut”, citon gazeta e Beogradit “Blic” të ketë thënë Schieb.
Në pyetjen se cili është qëndrimi i Berlinit se a duhet të vazhdojë dialogu pa marrë para sysh taksën, ai është përgjigjur se në parim dialogu mund të vazhdojë, porse sipas, kësaj gazete, Berlini e kupton qëndrimin e Beogradit.
“Më 29 prill mund ta përgatisim terrenin për dialog mbi normalizimin”, ka thënë Schieb duke theksuar se organizatorët e këtij takimi nuk dëshirojnë të nxisin pritje të mëdha, transmeton Koha.
Ai ka shtuar se “me rëndësi është që aktorët të mbesin në komunikim”.
Ambasadori ka theksuar se Gjermania ka shumë rezerva për zgjidhjen e problemit Kosovë –Serbi përmes ndryshimit të kufijve.
“Mendojmë se ndryshimi i kufijve mund të ketë reperkusione për gjithë rajonin dhe për këtë arsye ne kemi rezerva të mëdha për këtë. Ekziston formati sipas të cilit zhvillohen bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me ndërmjetësim të BE-së. Përmes këtij takim, synojmë në ripërtëritjen e negociatave”, ka thënë Schieb.