Takimi në Bruksel/ Deputetë e analistë: Kurti fitoi politikisht

15:15 | 28 Tetor 2023
takimi-ne-bruksel/-deputete-e-analiste:-kurti-fitoi-politikisht

Pa ndonjë përparim, Kosova dhe Serbia përmbyllën edhe një maratonë takimesh të enjten në Bruksel.

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandër Vuçiq patën deklarata të kundërta pas takimeve që ata zhvilluan ndaras me diplomatët evropianë.

Derisa Qeveria e Kosovës tha se ishte e gatshme të nënshkruante propozimin e diplomatëve evropianë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, Vuçiqi insistoi në zbatim të marrëveshjeve të kaluara.

Kurse, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ndërmjetëson bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, tha se marrëveshja mes tyre nuk ishte e mundur, sepse “parakushtet e njërës palë ishin të papranueshme për tjetrën”.

E, ani pse për këtë takim nuk u dhanë shumë detaje dhe i njëjti pothuajse kaloi në terr informativ, për Front Online ka folur deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti dhe analisti politik, Artan Muhaxhiri.

 

Xhavit Haliti: Kurti doli më mirë se Vuçiqi në takimin në Bruksel

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti duke folur për takimin e djeshëm në Bruksel ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti politikisht ka dalë më mirë se presidenti Aleksandër Vuçiq.

“Ajo që unë mendoj Kurti ka dal politikisht më mirë se Vuçiqi në takimin e djeshëm për faktin se ka bërë një ofertë dhe oferta sipas informatave të mia ka qenë t’i nënshkruajmë të gjitha marrëveshjet edhe e nënshkruajmë statutin për Asociacionin”, ka thënë Haliti, për Front Online.

I, pyetur se Kurti në vazhdimësi ka thënë që nuk do ta pranojë Asociacionin, Haliti ka deklaruar se ka përshtypjen që kryeministri çështjen e Asociacionit do të përdorë përsëri si moto për zgjedhjet e ardhshme.

“Kurti kur ka deklaruar se nuk do ta pranojë Asociacionin i ka fitu zgjedhjet me këtë moto ‘luftë kundër Asociacionit’. Edhe tani po thotë që nuk do ta pranojë Asociacionin. Problemi është se kur je në opozitë e kur je në qeverisje ndryshojnë edhe përgjegjësitë. Dhe, kam përshtypje që edhe tani gradualisht do të na çojë në zgjedhje, ose do të përpiqet që ta çoj Kosovën në zgjedhje dhe të dalë në fushatë me moton po e them në thonjëza që unë ju kam premtuar që nuk e bëj Zajednicën, nuk e bëra dhe nuk do ta bëj me qëllim që t’i fitoj zgjedhjet”, ka shtuar ai.

 

Muhaxhiri: Do të vij koha kur Kurti duhet të shpjegojë ndryshimin radikal për Asociacionin

Ndërsa, analisti politik Artan Muhaxhiri, deklaron se nga takimi i djeshëm u konfirmua se qasja në dialog duhet të ndryshojë komplet.

Kjo, për shkak që siç thotë ai, në rast se vazhdon një situatë e njëjtë nuk ka indikacione për marrëveshje finale.

“Pra, me këtë tempo shumë të komplikuar ku vazhdimisht dalin në pah probleme dhe pengesa të reja nuk ka ndonjë mundësi që të shkohet përpara në mënyrë kualitative. Pra, edhe çështjet më të rëndësishme siç është ajo e Asociacionit kanë probleme shumë të mëdha dhe për fat të keq çdo takim i ri në Bruksel vetëm sa po i qartëson pengesat dhe hendekun mes Kosovës, Serbisë dhe Bashkësisë Ndërkombëtare në konceptin e procesit të dialogut”, është shprehur ai për Front Online.

Sipas Muhaxhirit, kryeministri Kurti për çështjen e Asociacionit ka gjetur një rrugë të ndërmjetme që as të mos konsiderohet si pranim i plotë, e as plotësisht refuzim.

Dhe, kjo sipas Muhaxhirit është një taktikë e mirë e kryeministrit Kurti.

“Duket se kryeministri Kurti ka llogaritur në refuzimin e Vuçiqit gjë që në aspektin politik është një taktizim i mirë, mirëpo gjithsesi do të vjen momenti ku edhe kryeministri Kurti do të duhej që të jap llogari dhe shpjegime për ndryshimin e  tij radikal sa i përket çështjes së Asociacionit”, ka thënë ai.

Takimi në Bruksel u zhvillua vetëm pas disa ditësh kur pesëshja perëndimore solli në Kosovë dhe Serbi një plan  për siç thanë për ta quar përpara procesin e dialogut./Front Online

 

Komento: