Takimi në Bruksel, Vllasi porosi Kurtit: Shyqeje copa-copa çdo Asociacion që vjen nga Serbia

09:10 | 02 May 2023

Avokati dhe ish-politikani, Azem Vllasi, për takimin e sotëm mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, thotë se nuk mund të ketë pritshmëri të mëdha. Vllasi, thotë që situata dhe raportet me Kosovës dhe Serbisë tani janë më të tensionuara.

“Nuk mund të kemi pritshmëria të mëdha, sepse situata dhe raportet me Serbisë dhe Kosovës tash janë më të tensionuara, sesa kur ishte takimi i fundit në Ohër. Është prit një plan aktiviteti për zbulimin e fatit të të pagjeturit nga lufta, por sidoqoftë deklarata do të jetë çka do të jetë ajo është mirë”, tha ai në Tëvë1.

Sipas Vllasit, çështja kryesore që sot në takim duhet të sqarohet është shkelja e marrëveshjes që është bërë nga ana e presidentit Vuçiq, që ka penguar Kosovën për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. “Çështja kryesore është që duhet të sqarohet nesër se si Vuçiq menjëherë me të dyja këmbët ka shkelur pikën katër të marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit. Ajo është që Serbia nuk do ta pengojë Kosovën në procedurat e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare”, tha avokati.

Vllasi thotë që presidentit Vuçiq i intereson vetëm Asociacioni, ku sipas tij këto çështje sinjalizojnë që nesër nuk do të ketë asnjë hap para në dialog. “Vuçiqit po i intereson vetëm Asociacioni i komunave, publikisht po thotë që nuk i intereson asgjë tjetër. Këto janë çështje të cilat sinjalizojnë që nesër asnjë hap esencial përpara në dialog nuk do të ketë, por do të shohim se çfarë qëndrimi do të kenë ndërmjetësuesit”, tha ai mes tjerash.

Njohësi i çështjeve politike thotë që Serbia nuk është e interesuar për normalizim të marrëdhënieve, sepse me këtë nënkuptohet dhe njohja reciproke. “Serbia nuk është e interesuar për normalizim të marrëdhënieve, sepse normalizim i marrëdhënieve, apo një marrëveshje finale mes Serbisë e Kosovës, nënkupton edhe njohjen reciproke, Serbia edhe pas çdo rundi të bisedimeve, ku edhe Ivica Daçiq në Këshillin e Sigurimit ka thënë që kurrë Serbia nuk do ta njoh Kosovën”, shto ai.

Avokati dhe ish-politikani, Azem Vllasi duke folur për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ka thënë se nuk duhet të pranohet asgjë që del jashtë sistemit kushtetues të Kosovës.

“Asgjë të mos pranohet që del prej atyre gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese, gjetje që i nxjerrri Gjykata lidhur me atë marrëveshjen e vitit 2015. A quhet Asociacion apo tjetër emër, jashtë sistemit kushtetues të Kosovës asgjë”, ka thënë Vllasi në Info Nata në Tëvë 1.

Tutje Vllasi tha se çdo version i Asociacionit që dorëzohet nga Serbia më 2 maj, kryeministri Kurti duhet ta shqyej.

“Kjo tash u paralajmërua kinse Serbia, ani i thonë njëfarë trupi menaxhues qeverisës, e kanë bo në Serbi dhe do ta ofrojnë kinse nesër. Kurti tha do ta lexoj e kam kënaqësinë. Unë mendoj që atë po në atë moment që ta japin, duhet ta merr Kurti dhe ta shqyej copa-copa sepse, kush është Serbia, shteti tjetër të shkruaj statut për një mekanizëm të brendshëm të Kosovës e që në këtë rast quhet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe”, deklaroi Vllasi.

“Le ta bëjnë, duhet me bë vet pala kosovare, Qeveria”, ka shtuar Vllasi.

Në takimin e sotëm mes Kurtit dhe Vuçiqit pritet të nënshkruhet deklarata për të zhdukurit dhe do të diskutohet drafti i statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ndërkohë, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se takimi i së martës është i rëndësishëm.

Komento: