Nesër në Bruksel, mbahet takim për vizat.
Grupi Punues i Këshillit Evropian të BE-së, mblidhet të mërkurën në Bruksel për të diskutuar çështjen e heqjes së regjimit të vizave për Kosovën.
Pas një muaji nga mbledhja e fundit, Grupi Punues për vizat i Këshillit Evropian rikthehet në një mbledhje dy-ditore që mbahet më 8 dhe 9 nëntor.
Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën ndodhet në pikën tre të rendit të ditës së Grupit Punues.
Në një intervistë për Radio Evropën e Lirë muajin e kaluar, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi kishte deklaruar se Kosova është udhëzuar që të përdorë kanalet e veta bilaterale për të diskutuar kërkesat e reja për çështjen e heqjes së vizave.
“Ashtu që të arrihet konsensus, për të shtyrë përpara procesin në mbledhjen e ardhshëm të grupit punues për viza, që mbahet më 9-10 nëntor të këtij viti”, kishte thënë Bislimi në një intervistë më 14 tetor.
Ndërkaq, javën e kaluar, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde tha se shpreson që vendimi për heqjen e vizave për Kosovën të merret në “mbledhjen e radhës” të Grupit Punues.
“Unë them shpresoj që liberalizimi i vizave të ndodhë në vitin e ardhshëm, në fillim te vitit të ardhshëm sepse edhe nëse javën tjetër vendoset, liberalizimi do të zgjas prapë disa muaj”, tha Rohd.