
Haradinaj pyetet nga mediet për takimin e djeshëm Sveçla, Abrashi, Gjini – Gjuriq.
Kryeministri i Kosovës në largim, Ramush Haradinaj gjatë një konference për media ka folur edhe për çështjet aktuale politike në vend.
Takimi më i përfolur i momentin, Sveçla, Abrashi, Gjini – Gjuriq, nuk kishte si të mos bëhej pjesë e pyetjeve nga gazetarët për kryeministrin Haradinaj.
Mirëpo kryeministri në largim tha se nuk ka koment lidhur me këtë takim.
Kujtojmë, se anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, deputeti i zgjedhur nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, dhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh kryetar i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini janë fotografuar gjatë një takimi me zyrtarin e qeverisë serbe, në mbrëmjen e së shtunës.
Sveçla ka thënë se ai është pjesëmarrës në një konferencë për bashkëpunim rajonal, organizuar nga ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë.
Ndërsa, Abrashi ka thënë se ai atje ka qenë në një takim që është organizuar nga CIG.
“Takim rajonal, mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, organizuar nga CIG”, tha Abrashi.
Ndryshe, Marko Gjuriq, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ishte arrestuar më 26 mars 2018, në Mitrovicën Veriore nga Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës. Ky veprimi erdhi pasi i njëjti kishte hyrë ilegalisht në territorin kosovar.
Gjithashtu, gjatë të premtes së kësaj jave drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i ka dalë në mbrojtje presidentit serb, Vuçiq.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, deklaroi se, masakra e Reçakut është një fabrikim, pas vendimit që Gjykata Themelore në Prishtinë, mori vendim që ta dënoj me dy vite burgim ish-ministrin e MAPL-së, Ivan Todosijeviq, i cili është shpallur fajtor për deklaratat që i kishte bërë në lidhje me shqiptarët dhe masakrën e Reçakut.