
Qeveria duket se nuk është në dijeni për takimin mes Thaҫit e Vuҫiqit në SHBA.
Zëri i Amerikës ka njoftuar më herët se një takim mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është duke ndodhur në Shtëpinë e Bardhë në SHBA.
Për këtë takim nuk është njoftuar qeveria e Kosovës, sipas zëvndeës kryeministrit, Haki Abazi.
“Lajmi për takimin është vetëm përmes mediave. Unë e kam thënë disa herë në ditët e fundit, edhe sot në Kuvendin e Kosovës, që presidenti është duke vepruar nga një hapësirë jotransparente, në mungesë të plotë të koordinimit me institucionet e Kosovës”.
“Nuk kemi absolutisht asnjë informacion se çfarë është agjenda, për çfarë është duke u diskutuar dhe cilat janë pozicionet që presidenti i ka paraqitur në këto takime në Uashington”, ka shtuar ai.
“Sigurisht që vlen të theksohet që kryeministri i ka bërë ftesë disa herë për akordim të politikës së jashtme, pozicioneve në dialogun me Serbinë dhe formatin që dialogu duhet të vazhdojë, por kjo asnjëherë nuk është respektuar. Me tejkalimin e të gjitha kompetencave kushtetuese, presidenti është duke vazhduar me agjendën e tij”.
Kujtojmë se të hënën në mëngjes, kryeministri i Kosovë, Albin Kurti, ka thënë se Thaçi nuk ka të drejtë ligjore që të përfaqësojë Kosovën në dialogun Kosovë-Serbi.